RTSH Sport Live

Vllaznia, Plori: Nuk pres favore nga Tirana

  • 13/05/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Vllaznia, Plori: Nuk pres favore nga Tirana
Trajneri i Vllaznisë flet para ndeshjes së të shtunës, për të, lufta për Evropën, ende e hapur

Vllaznia ndan vendin e 3-të dhe të 4-t me Partizanin dhe për trajnerin e shkodranëve, Elvis Plori, gjithçka është e hapur sa i përket Evropës.

“Nuk kemi arritur asgjë deri tani. Jemi baraz me pike me Partizanin dhe tre pikë para Kukësit, ka edhe tre ndeshje. Duhet të jemi seriozë dhe të bëjmë në fushë më të mirën.”

Kuqeblutë përballen në takimin e vlefshëm për javën e 34-t të Kategorisë Superiore me Tiranën që është kurorëzuar tashmë edhe matematikisht kampione, por Plori nuk pret favore nga bardheblutë.

“Nuk duhet të nënvlerësojmë. Nuk ka kohë për gabime dhe rikuperime, janë tri ndeshje për të marrë maksimumin. Na duhen 9 pikë për Europën. Nuk duhet të merremi me Tiranën, të merremi me veten dhe të kemi angazhim në fushë si ndaj Kukësit. Duhet mos bëjmë një pjesë mirë dhe një keq, kemi bërë gabime. Të kemi mendjen te detyrat tona, jo çfarë bën Tirana. Të mendojmë për këtë duel, më pas për dy të tjerat.”

Kreu i stolit të Vllaznisë ka folur edhe për kontingjentin e lojtarëve në prag të kësaj sfide.

“Latifi është i gatshëm. Gjurgjeviç e ka të pamundur të kthehet edhe pas analizave të kryera. Çoba? Ka pasur vëmendje gjatë gjithë kohës, ka 22 ndeshje të aktivizuar. Pretendohet të jetë e ardhmja e klubit”.

Takimi Tirana-Vllaznia luhet të shtunën, në Stadiumin "Selman Stërmasi" të kryeqytetit, duke nisur nga ora 17:00.