RTSH Sport Live

Vllaznia rikthehet tek fitorja, mund Kastriotin

  • 20/11/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Vllaznia rikthehet tek fitorja, mund Kastriotin
Kuqeblutë kanë arritur të marrin një fitore 3-1 përballë krutanëve, në sfidën e luajtur në “Loro Boriçi”

Pas tri ndeshjeve ku kishte marrë vetëm një pikë(barazim me Egnatian, humbje me Kukësin dhe Tiranën), Vllaznia gjen fitoren në javën e nëntë duke mundur në “Loro Bori” Kastriotin me rezultatin 3-1. Një sfidë e dominuar nga kuqeblutë, të cilët asnjëherë nuk e vunë në diskutim fitoren. Që në minutën e 10-të të sfidës, shkodranët arritën të gjejnë rrugën e rrjetës duke e bërë gjithçka më të thjeshtë.

Është pikërisht Aralica, i cili ka përfituar nga një rrëmujë e krijuar në zonën krutane në momentin e ekzekutimit të një goditje këndi dhe tabela elektronike shënon 1-0 për Vllazninë. Sulmet e njëpasnjëshme të vendasve kurorëzohen me golin e dytë pas nëntë minutash, me Ardit Hoxhajn protagonist. Përsëri goditje këndi, përsëri goditje me kokë dhe Hoxhaj ka sigluar 2-0, duke e bërë më të besueshëm suksesin në këtë sfidë.

Pretendime, mundësi shënimi por dhe tension deri në përfundimin e 45 minutave të para, por rezultati nuk ndryshon, mbetet i mbërthyer në shifrat 2-0. Në pjesën e dytë, pikërisht në minutën e 56-të, nga një aksion i nisur nga e majta e sulmit, lind dhe goli i tretë për kuqeblutë. Është Hakaj që ka shërbyer për Hoxhajn dhe ky i fundit nuk fal, 3-0.

Në minutën e 76-të, Kastrioti ngushton shifrat me Ajazin, i cili përfiton dhe nga gabimi i portierit Zogoviç për të dërguar topin në rrjetë, 3-1.  Por gjithçka mbaron këtu, pasi shkodranët arrijnë të administrojnë si duhet deri në fund dhe marrin kështu fitoren e parë pas tri ndeshjeve të kaluara ku nuk kanë munguar kritikat. Një rikthim i frikshëm, një sinjal për rivalët.