RTSH Sport Live

Vllaznia sheh Europën me Çobën

  • 09/05/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Vllaznia sheh Europën me Çobën
Sulmuesi shënon golin e fitores në të 95’, duke dëshpëruar Kukësin

Mehdi Çoba shënon në minutën e 5-të shtesë për t’i dhënë fitoren 2-1 Vllaznisë, në sfidën direkte për Europën, përballë Kukësit. Suksesi i dytë në pankinë për Elvis Plorin, që bëri gjetjen me sulmuesin e talentuar shkodran, në gol vetëm 3 minuta pasi hyri në fushë. Shembet Kukësi i Longos, që momentalisht është jashtë Europës. Një ndeshje me peshë, ku në lojë ishte diçka e madhe, mjaftueshëm për të vënë nën presion skuadrat në “Loro Boriçi”. Shkodranët e kërkuan golin pa qartësinë e duhur e pa Latifin, në pankinë fillimisht, duket se kuqeblutë kishin humbur në kualitet.

Kukësi u mundua të tregohet i kujdesshëm në prapavijë, me Xhikën që më shumë se nga kundërshtarët ia komplikoi jetën vetes. Aralica mundohet të marrë shumë përsipër, por kroati nuk ka shënjestrën e duhur në dy mundësi, që i paraprinë rastit të parë të vërtetë të ndeshjes, por që është i miqve, në këtë rast me dhe pa fat. Konkluzioni i Basa në të 31 nuk do të bëhej aq i rrezikshëm nëse nuk do të devijohej, porn ë anën tjetër shtylla dëshpëroi Longon, që shpresoi të merrte avantazhin.

Një ekuilibër  në rezultat, që u duk se do të duronte deri në interval, pasi goditja e Sh.Taipit kaloi mbi traverse pesë minuta nga fundi, por që u prish papritur në të 43’ kur Da Silva dërgoi në rrjetë krosimin e Gurishtës. 1-0 që ndryshoi planet e të dy trajnerëve për pjesën e dytë, që megjithatë nuk u ngjit në nivel teknik, përvec agonizmit që ja diktonin emocionet. Milunovic në të 58’ gjeti të gatshëm Zogoviç, ndërsa në anën tjetër tentative me kokë e Aralicës është krejtësisht për tu harruar.

Longo jep sugjerime, edhe me shënime, edhe pse vështirë që indikacionet e italianit të parashikonin mefshtësinë e Zogovic në goditjen e dënimit të Taipit që Lulaj e shtyu në rrjetë 10 minuta nga fundi, duke ngrirë stadiumin. Shkodranët luajtën gjithcka për gjithcka në ato pak minuta, madje me Plorin që hodhi në fushë edhe Cobën, kartën që rezultoi fituese pas vetëm 180 sekondash në fushë.

Në minutën e 5 shtesë, shkodrani i liruar në qendër të zonës, mposhti Xhikën duke barazuar Partizanin në renditje dhe duke nisur një festë të vërtetë të Plorit e të tijve, që kartonat e kuq për trajnerin e portierëve Lekiqi e portierin e dytë Qarri, nuk mund ta ndalonin…