RTSH Sport Live

Vllaznia-Skënderbeu, finalja e Kupës së Shqipërisë

  • 14/04/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Vllaznia-Skënderbeu, finalja e Kupës së Shqipërisë
Shkodranët kanë eliminuar Laçin në gjysmëfinale me rezultatin 1-0, ndërsa korçarët kanë surprizuar Teutën me një fitore 2-0 në “Niko Dovana”

Vllaznia dhe Skënderbeu janë dy skuadrat që do të diskutojnë mes tyre trofeun e Kupës së Shqipërisë për sezonin 2020/2021. 90 minuta për të vendosur fatin e gjysmëfinaleve dhe surpriza vjen nga “Niko Dovana” ku skuadra korçare ka arritur të eliminojë fituesen e sezonit të kaluar, njëkohësisht dhe vendi i parë në kampionat në këtë sezon, Teutën e Durrësit me rezultatin 2-0. Ndërkohë, shkodranëve u ka mjaftuar një gol i Ardit Hoxhajt për të prerë biletën për në finale përballë kurbinasve.

TEUTA-SKËNDERBEU 0-2: Në “Niko Dovana” ndodh më e pabesueshmja, Skënderbeu arrin të fitojë përballë një kundërshtari me statusin e fituesit të sezonit të kaluar në Kupën e Shqipërisë si dhe vendi i parë në kampionat në këtë sezon, me golat e Meksit dhe Berishës. Të besuarit e trajnerit Memelli e nisën sfidën menjëherë me gol, teksa Mensa arriti të fitojë një penallti dhe Meksi ekzekutoi saktësisht. Në fundit e pjesës së parë është Elvi Berisha që ka dyfishuar rezultatin, por festimi i ka kushtuar shumë, pasi është ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë për gjithë pjesën e dytë. Durrsakët kërkuan të gjejnë rrugën e rrjetës, për të shpresuar përmbysjen, por pa rezultat. Në finale shkon Skënderbeu, për herë të shtatë në histori.

VLLAZNIA-LAÇI 1-0: Në një sfidë të luftuar, Vllaznia ka arritur të mundë me rezultatin 1-0 Laçin në “Loro Boriçi”. Ishte sulmuesi vlonjat, Ardit Hoxhaj, i cili arriti të shënojë me kokë në portën e kurbinasve, pasim i dhënë nga Da Silva, duke prerë kështu biletën për në finale e Kupës. Kurbinasit provuan me të gjitha mënyrat në minutat në vazhdim, por skuadra e trajnerit Thomas Brdariç arriti të administrojë si duhet rezultatin dhe të arrijë objektivin në këtë sfidë. Në fund të takimit nuk ka munguar tensioni, teksa Obanor është ndëshkuar me karton të kuq për goditje të kundërshtarit.

KUPA E SHQIPËRISË

Gjysmëfinalet

TEUTA-SKËNDERBEU 0-2

Golat: Meksi 2’, Berisha 44’

VLLAZNIA-LAÇI 1-0

Golat: Hoxhaj 21’

Finalja(30 maj)   

Vllaznia-Skënderbeu