RTSH Sport Live

Vllaznia, suksesi i parë në Ligën Unike

  • 06/11/2021
  • |
  • Basketboll
Vllaznia, suksesi i parë në Ligën Unike
Shkodranët mundin Tiranën, 87-68, ndërsa Prizreni 16 fiton me Rahovecin, 95-89

Vllaznia ka gjetur fitoren e parë në Ligën Unike Shqipëri – Kosovë në basketboll për meshkuj. Pikërisht mbrëmjen e së shtunës, në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”, Shkodër, në sfidën e cila ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, kuqeblutë e Nikola Milatoviç kanë triumfuar me 19 pikë diferencë. Gjithçka ka ndodhur në derbin shqiptar, Vllaznia – Tirana, atje ku shkodranët, me përjashtim të periodës së tretë, në pjesën më të madhe të lojës kanë dominuar. Diferencat janë të dukshme që në periodën e parë, atje ku Vllaznia ka kryesuar 30-19.

Tirana mundohet të rivalizojë, ndërsa nuk e ka aktivizuar që nga fillimi amerikanin Klark. 20-17 perioda e dytë për vendësit, kurse Vllaznia në pushim ka kryesuar 50-36. Një diferencë prej 14 pikësh që mendohej se do ta bënte më të lehtë fitoren e Vllaznisë. Mirëpo Tirana ka ardhur me tjetër mendje në fushën e lojës pas pushimit. Arrin të ngushtojë deri në një 1 pikë diferencë nga 14 pikë që ishin para startit të periodës së tretë. 52-51, 54-53 dhe vetëm kaq. 20-21 e fiton Tirana periodën e tretë, ndërsa Vllaznia ka kryesuar me 13 pikë diferencë, 70-57.

E fundit nuk ka më histori, sepse Vllaznia e fiton 17-11 dhe vulos suksesin e saj të parë në Ligën Unike në shifrat 87-68. Ndërkohë Prizreni 16 ka gjetur fitoren e dytë, ndërsa në fushën e vet ka mundur Rahovecin 95-89. Skuadra e Rahovecit është ajo që mbyll renditjen e Ligës Unike me tre humbje në tre ndeshje. E diela do të jetë përsëri për Ligën Unike, ndërsa në Radio Televizionin Shqiptar do të vijë në ora 19:00, Teuta – Golden Eagle Ylli, kurse në Pejë do të jetë në rolin e vizituesit, Kamza Basket. Në këto kushte, Liga Unike, Shqipëri – Kosovë vijon të përcjellë emocione.