RTSH Sport Live

Vllaznia, tani radhën e ka Kukësi

  • 23/10/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Vllaznia, tani radhën e ka Kukësi
Trajneri Thomas Brdaric mendon vetëm fitoren

Kukësi – Vllaznia është një ndër kryesfidat e javës së gjashtë, që do të zhvillohet të dielën në ora 13:45 në Rrogozhinë. Trajneri i shkodranëve, Tomas Bërdariç, ka kërkuar nga skuadra që të mos qëndrojë me euforinë e fitores ndaj Dinamos.

“Jemi shumë të lumtur për atë fitore ndaj Dinamos, sepse ka krijuar një atmosferë të mirë në ekip dhe në Shkodër. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se kemi kaluar në eufori, kërkojmë të kemi vazhdimësi. Duhet të punojmë shumë që të marrim fitoren e radhës”

Për të parin e bankinës kuqeblu, Kukësi është kundërshtar që duhet respektuar

“Jemi përgatitur për ndeshjen e nesërme. Shpresojmë që kushtet në Arena Egnatia të jenë të mira, pasi këtu në Shkodër ka patur shumë reshje shiu, nuk e di se si kanë qenë në Rrogozhinë. Për të dyja skuadrat do të jetë diçka e veçantë pasi edhe Kukësi nuk luan në shtëpi”.

E në kushtet e shiut, teksa të shtunën në Rrogozhinë ka luajtur Egnatia – Teuta, atëherë në kampin shkodran kanë nisur shqetësimet për cilësinë e fushës së lojës.

“Shpresoj që fusha të jetë mbajtur në gjendje të mirë dhe të zhvillojmë një ndeshje të bukur”.

Gjashtë gola Dinamos, po kaq dhe Kukësit? Por për Brdaric më të rëndësishme janë tre pikët

“Kukësi është një ekip që kërkon të presojë lart dhe të bëjë një futboll të bukur. Ne duhet të jemi të përkushtuar ndaj këtij kundërshtari, të japim më të mirën nëse duam rezultat pozitiv”.