Vllaznia – Teuta do të luajë ndeshjen e dytë finale për titull kampion në basketboll për meshkuj të mërkurën në ora 19:00 në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër. Durrsakët vijnë nga fitorja e takimit të parë, teksa triumfuan të shtunën 86-68. Dhe për rrjedhojë, kapiteni i “djemve të detit”, Kristi Gorea, mendon se ky sukses do të jetë një motivim më tepër për të dhënë më të mirën në Shkodër.
“Për fatin tonë të mirë arritëm të krijonim atë shkëputjen e vogël në periodën e dytë, që na dha mundësinë të liroheshim plotësisht nga emocionet në dy periodat e tjera, duke dalë kështu në lojën tonë normale”.
Ndërkohë trajneri i Teutës, Melzin Lazimi, shpjegon se skuadra pati ngërçet e veta në dy pjesët e para, por më pas, edhe me nxitjen e publikut, ia doli të ishte e suksesshem.
“Ndeshja kishte rivalitet në dy periodat e para, për ne ishte një ngërç emocional. Më pas në periodën e tretë dhe të katërt besoj se të gjithë e panë dominimin e Teutës ndaj skuadrës së Vllaznisë”.
E njeh me detaje Vllazninë, sepse e ka parë edhe në gjysmëfinalet me Tiranën. Por gjithsesi i ka kërkuar skuadrës që të qëndrojë me këmbë në tokë, sepse nuk ka përfunduar asgjë.
“Dimë që kemi shumë forca, më shumë se Vllaznia. Duhet të qëndrojmë të gjithë bashkë, me këmbë në tokë, nuk duhet të na heqë motivimin fitorja. Nuk kemi arritur asgjë akoma, do të shkojmë atje dhe besoj se me këtë formë që treguam këtu, nëse do e tregojmë edhe atje, patjetër që fitorja do të jetë e jona”.