RTSH Sport Live

Vllaznia, triumf tenistik ndaj Dinamos

  • 18/10/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Vllaznia, triumf tenistik ndaj Dinamos
 Fiton 6-3 në “Loro Boriçi” dhe i vihet në ndjekje Tiranës kryesuese

Vllaznia ka pritur të hënën në mbrëmje në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, Dinamon, në takimin që uli siparin e javës së 5-të të Kategorisë Superiore. Në fakt, takimi ka nisur shumë mirë për miqtë nga kryeqyteti, që kanë gjetur golin e epërsisë pas vetëm 5 minutash lojë, kur Ibraimi përshëndet rrjetën pas një aksion të gjatë që gjen të përgjumur mbrojtjen vendase. Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR) ka konfirmuar se nuk ka pozicion jashtë loje dhe Dinamo udhëheq 1-0. Por Vllaznia nuk tulatet nga goli i pësuar, duke u hedhur në sulm dhe duke këmbëngulur, këmbëngulje që do të shpërblehet në minutën e 16-të, kur shkodranët barazojnë shifrat.

Dianje është ai që përshëndet rrjetën pas një goditje nga këndi, duke u gjendur i zbuluar në shtyllën e dytë. Goli u ka dhënë zemër kuqebluve dhe, vetëm 5 minuta më pas, Gjurgjeviç i afrohet golit të përmbysjes për Vllazninë, teksa shfrytëzon një pasim në qendër për ta kaluar topin mes mbrojtësve dinamovitë, por pa gjetur dot katërkëndorin e portierit Harizaj. Në minutën e 28-të, Aralica tregon aftësitë e tij, me një rrotullim e gjuajtje të shpejtë drejt portës së Harizajt, por ky i fundit është i vëmendshëm, duke grushtuar topin, ndërsa mbrojtja largon rrezikun.

Sidoqoftë, 7 minuta më pas, në të 35-tën vjen edhe përmbysja e shkodranëve. Latifi nis një aksion të shpejtë me një pasim të saktë për Gjurgjeviçin, i cili nuk gabon, duke kaluar topin mbi gardianin dinamovit, Harizajn, dhe duke e kaluar Vllazninë në epërsi. Me këtë epërsi 2-1 mbyllet pjesa e parë dhe Vllaznia e nis të dytën në të njëjtën mënyrë dhe, ndërsa Imami rrezikon autogolin pas një harkimi nga e majta, në minutën e 47-të, pasi devijimi i tij para portës kalon mbi shtyllën horizontale, vjen edhe goli i 3-të i vendasve 8 minuta më pas.

Aksion model i Vllaznisë, i nisur nga Hakaj, Latifi depërton në të majtë dhe nis një pasim në qendër për Aralicën, i cili nuk gabon para Harizajt. Në të 5-tën, Aralica shpërdoron mundësinë për golin e 4-t, kur merr një top nga thellësia dhe driblon Harizajn, por nuk godet saktësisht. Në minutën e 66-të, VAR-i sinjalizon kryesori Kridens Meta të shohë një kontakt mes Dianje dhe Skukës. Kryesori konsulton monitorin dhe pastaj bën shenjë nga pika e bardhë, duke dhënë penallti për Dinamon.

Dhe në të 67-ën minutë, shkurton diferencën Dinamo me 11-metërshin e Ibraimit, i cili nuk gabon para Zogoviç. Por vetëm 3 minuta më pas, kthehet përsëri diferenca e dy golave për Vllazninë, pasi Aralica e ka të thjeshtë të shënojë mes mbrojtjes kundërshtare me një gjuajtje me kokë. Sidoqoftë, në minutën e 72-të, rihapet edhe një herë ndeshja me harkimin e Bardhit për Skukën, i cili dërgon topin në rrjetë. Vllaznia kryeson 4-3 dhe 7 minuta para fundit të kohës së rregullt, vjen goli spektakolar i Fjoart Jonuzit. Pas një goditje nga këndi, topi shkon te mesfushori i cili nga jashtë zonës lëshon një predhë të pakapshme.

Në minutën e 6-të shtesë ka kohë edhe për një tjetër gol të vendasve, pasi një kundërsulmi vrastar dhe i sapofuturi në fushë, Mustedanagiç, del i vetëm para Harizajt dhe nuk fal. Vllaznia mposhti Dinamon me rezultatin tenistik 6-3 dhe kuqeblutë ngjiten kështu në vendin e dytë të renditjes, në kuotën e 9 pikëve, dy më pak sesa Tirana kryesuese.