RTSH Sport Live

Volejboll - Femra, Kupa e Shqipërisë luan gjysmëfinalet, ka një derbi në finale

  • 09/03/2021
  • |
  • Të tjera
Volejboll - Femra, Kupa e Shqipërisë luan gjysmëfinalet, ka një derbi në finale
Partizani triumfon në 5 sete ndaj Barleti Volejit, Tirana mund Vllazninë 3-1.

Janë luajtur të martën pasdite dhe në mbrëmje dy duelet gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra, duke njohur edhe dy skuadrat që do të diskutojnë të dielën finalen për trofeun e dytë të rrjetës shqiptare. Në duelin e parë, të luajtur në Sallën Sportive “Feti Borova” të Parkut Olimpik të Tiranës, Partizani ka triumfuar pas 5 setesh në një betejë prej afro dy orësh ndaj Barleti Volejit, duke siguruar biletën për në finale.

Barleti Voleji e ka marrë setin e parë bindshëm, 25-13, duke krijuar idenë e një fitoreje të lehtë. Por të kuqet e kryeqytetit kanë reaguar, duke u shkëputur në kryesim në setin e dytë dhe, përtej një “ringjalljeje” në fund nga universitaret, e marrin atë, duke barazuar kështu gjendjen e seteve në 1-1. Barleti Voleji do të vijojë ta fitojë sërish bindshëm 25-17, setin e 3-të, por Partizani është kundërpërgjigjur me të njëjtën monedhë në të 4-tin, duke e marrë atë 25-16 dhe duke e çuar gjithçka në setin e 5-të dhe të fundit.

Aty ku Partizani ka me shifrat 15-10, duke e marrë gjithë ndeshjen me shifrat 3-2 dhe duke siguruar vendin në finale, ku do të përballet me rivalen kryeqytetase, Tiranën. Kjo e fundit ka kapërcyer humbjen e setit të parë përballë Vllaznisë, duke vijuar të përmbysë dhe të fitojë 3-1 me sete. Skuadra e trajneres Nora Deda e ka fituar setin e parë në pikët shtesë, 28-26, por vajzat bardheblu të drejtuara nga veterani Adrian Gorenxa kanë reaguar, duke e fituar setin e dytë bindshëm, 25-12.

Ndonëse vajzat kuqeblu mundohen të reagojnë në setin e 3-të, është Tirana që e fiton atë 25-21 dhe vijon të mbizotërojë edhe setin e 4-t, duke e fituar edhe atë me shifrat 25-19 dhe gjithë takimin 3-1 me sete. Kështu, dueli final i Kupës së Shqipërisë do të jetë një derbi kryeqytetas, ndërsa të mërkurën luhen dy gjysmëfinalet e meshkujve.