Partizani dhe Tirana kanë hedhur hapin e parë drejt finales për titull kampion në volejboll për femra, ndërsa e premtja ka ngritur siparin e Play-off. I njëjti rezultat për fituesit, 3-1, ndërsa në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar ka ardhur drejtpërsëdrejti ndeshja e luajtur në sallën olimpiket “Feti Borova” mes Barletit Volej dhe Partizanit.
Pas një seti të parë të dominuar dhe të fituar nga vajzat e Artan Pogonit, 25-19, ringrihet Partizani i Andi Lundrës, që shfrytëzon në çdo aspekt gabimet e kundërshtarit. Xheka, Picaku, Hasku, Kaçorri, Kushi, Beshiri dhe Fagu luajnë mirë jo vetëm në pritjen e topit të parë, por dhe bllok e sulm, apo dhe në shërbim.
8-13, 11-17 dhe seti i dytë përfundon 15-25. Po kështu i treti 0-5, 10-19 e në përfundim, ndërsa dallohet Xheka për shërbimet e saj radhazi me pikë, 13-25. I katërti ka një farë rivaliteti me kërkesën e Barletit Volej për ta çuar ndeshjen në setin e pestë. Por nuk ndodh kështu.
14-18, 14-19 dhe në fund 17-25 e përfundimisht 3-1, ndërsa për shërbimet e saj me pikë në setin e katërt është dalluar Hasku. Ka dhe mosmarrëveshje mes tifozëve të Barletit Volej dhe trajnerit të Partizanit, Andi Lundra, ndërsa më pas situata është qetësuar me ndërhyrjen e të gjitha palëve.
Tirana ka humbur setin e parë 21-25 ndaj Vllaznisë e më pas ka përmbysur në 25-23, 25-12 dhe 26-24. Ndeshjet e kthimit, tanimë në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” dhe në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” do të luhen të dielën, kurse e shtuna është për gjysëmfinalet e para të meshkujve, Erzeni – Tirana dhe Partizani – Vllaznia.