Partizani është kampion i Shqipërisë për herë të katërt në volejboll për femra. Një trofe që e ka ngritur pasditen e së hënës në sallën kryesore të Pallatit të Sportit, “Asllan Rusi”, teksa në finalen e tretë të titullit kampion, që është transmetuar drejtpërsëdrejti në RTSH Plus, mundi Tiranën, thellësisht 3-0.
25-11, 25-17 dhe 25-20 dhe në fund kampione e Shqipërisë. E duke fituar dhe Kupën e Shqipërisë më 14 mars, atëherë sezoni i vajzave në rrjetën shqiptare është tërësisht për Partizanin.
Kupën kapitenes Çezarina Xheka ia ka dorëzuar zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Dashamir Brari, që së bashku me anëtarin e kryesisë Sokol Halili dhe sekretarin e përgjithshëm Albens Vokopola kanë shpërdarë dhe medaljet.
Ndërkohë tek Tirana ka pasur keqardhje për këtë paraqitje jo me nivel në finalen për titull kampion, por që sezoni i ardhshëm do të ketë një skuadër ndryshe bardheblu në rrjetën e vajzave.
E tanimë është radha e djemve për të mbyllur sezonin, ndërsa e marta rezervon finalen e tretë për titull kampion Partizani – Erzeni në ora 18:00 në sallën olimpike “Feti Borova”.