RTSH Sport Live

Volejboll Femra/Partizani, kapitenja Xheka: Na munguan duartrokitjet

  • 15/03/2021
  • |
  • Të tjera
Volejboll Femra/Partizani, kapitenja Xheka: Na munguan duartrokitjet
Volejbollistja e Partizanit, Çezarina Xheka, në një lidhje direkte me emisionin “E hëna Sportive” në RTSH

Partizani festoi trofeun e parë për vitin 2021, në volejboll për femra, duke u shpallur fitues i Kupës së Shqipërisë. Në finale, të kuqtë mundën Tiranë në “Feti Borova”, me rezultatin e pastër 3-0 (25-20, 26-24, 25-16). Kapitenja e Partizanit, Çezarina Xheka, në një lidhje direkte me emisionin “E hëna Sportive” në RTSH, ka deklaruar: “Mungesa në parket ishte si puna e ushqimit: kur rri pa ngrënë dhe ke atë oreksin e madh. E njëjta gjë ishte dhe me rikthimin e volejbollit”.

“Fitorja 3-0 ndaj Tiranës? Të them të drejtën, një javë më parë ishte skuadra e Tiranës, që na mundi, nga 2-0 për ne, në 3-2 për ata. Por topi është i rrumbullakët dhe asnjëherë nuk i dihet rezultatit. Por vetë fakti, që si ne ashtu dhe Tirana ishim finalist të Kupës, do të thotë se ishim të barabartë, por në fund ia dolëm ne”.

“Trofeu i parë? Edhe para dy vitesh, para pandemisë, ishim në të njëjtën situatë. Por tani më vjen keq, sepse na munguan duartrokitjet e të afërmve tanë, tifozëve tanë. Është një situatë, që len shumë për të dëshiruar. Nuk shikoj më atë nivelin e mëparshëm, më të ngritur nga ana fizike apo teknike. Ndonjëherë më duket vetja në volejboll amator”.

“Kufizimet, oraret, janë një stres më vete, sepse gjithmonë duhet të nxitosh. Në lidhje me kushtet në pallatet e sportit, mund të them se lënë shumë për të dëshiruar, nuk i kemi kushtet të mjaftueshme për situatën në të cilën jetojmë”.

“Na u duk vetja si jetime në finalen e Kupës, nuk kishim asnjë që të na mbështeste”.

“Pretendentët? Katër ekipet e para: ne, Tirana, Marin Barleti dhe Shkodra janë pretendentë për kampion. I’a lemë fushës, sepse mund të ndodhë që një ekip jo i kompletuar mund të fitojë. E thashë jo pa qëllim sepse kushtet fizike nuk janë të përshtatshme, pavarësisht se kemi ego. Akoma nuk e kemi atë gjendjen fizike të mëparshme”.