RTSH Sport Live

Volejboll/Italia, “Mbretëresha” absolute e parketit

  • 20/09/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Volejboll/Italia, “Mbretëresha” absolute e parketit
Pas femrave, edhe përfaqësuesja “axurre” e meshkujve shpallet “kampione” e Evropës

Italia ka konfirmuar mbizotërimin e parketit kontinental, sepse, pasi është shpallur “kampione” e Evropës në volejboll për femra, ka vijuar të shpallet “kampione” e kontinentit edhe për meshkuj. Kështu, përfaqësuesja “axurre” rikthehet në fronin kontinental të volejbollit të meshkujve, pas plot 16 vitesh, teksa ka triumfuar në 5 sete dramatike ndaj Sllovenisë, në finalen e kampionatit Evropian të 2021-shit, që u zhvillua në qytetin e Katovicës në Poloni. Kjo kurorë kontinentale ishte e 7-ta për Italinë në historinë e Kampionateve Evropiane, teksa ajo pati triumfuar 6 herë midis 1989-ës dhe 2005-ës, por kishte munguar që nga ajo kohë.

Duhet kujtuar këtu që  italianët kanë fituar edhe 4 medalje të argjendta dhe 3 të bronzta nëpër Evropianë. Ndërkaq, kapiteni dhe pasuesi i Italisë, Simone Xhaneli, u zgjodh si “MVP”-ja (Lojtari më i Vlefshëm) i Evropianit. Ndërsa Sllovenisë iu desh të kënaqej sërish me medaljen e argjendtë, ashtu sikundër kishte ndodhur edhe në 2015-ën dhe në 2019-ën, që kanë qenë në fakt të vetmet podiume evropiane deri më tani. Më herët të dielën, Polonia vendase siguroi medaljen e bronztë, pas fitoreve në 3 sete ndaj Serbisë.

Në pallatin e sportit “Spodek Arena” në Katovicë, që ishte mbushur plot e përplot, Italia kapërceu humbjen e setit të parë, 22-25, dhe setit të 3-të, 20-25, duke u rikthyer të fitojë të dytin dhe të katërtin me të njëjtat shifra, 25-20, dhe duke ruajtur gjakftohtësinë në setin e 5-të, të cilin e fitoi me shifrat 15-11 dhe gjithë duelin final ndaj Sllovenisë 3-2 me sete. Daniele Lavia ishte shënuesi më i mirë i finales, me 21 pikë, i ndjekur nga Alesandro Michieleto me 17, ndërsa Alen Pajenku shënoi 16 pikë për Slloveninë.