RTSH Sport Live

Volejboll Meshkuj/Shqipëria dorëzohet përballë Rumanisë

  • 14/05/2021
  • |
  • Të tjera
Volejboll Meshkuj/Shqipëria dorëzohet përballë Rumanisë
Vetëm një set i fituar dhe më pas tre të humbura, përsëri të fundit në grupin E

Shqipëria e volejbollit të meshkujve ka pësuar humbjen e katërt në kualifikueset e Kampionatit Europian 2021, ndërsa pjesa e dytë e tyre është duke u luajtur në Ploesht të Rumanisë. Pikërisht ndaj skuadrës vendëse, edhe pse në organizim ka qenë Adri Arapi, Shqipëria e Jani Melkës nuk ka shkuar më shumë se sa një set i fituar, teksa më pas ka humbur tre të tillë.

Një ndeshje e cila ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, sikurse do të vijnë takimet e tjera të shtunën me Sllovakinë dhe të dielën me Zvicrën, pikërisht në ora 19:00. Tanët kanë luajtur si të barabartë me rumunët në setin e parë. Kanë arritur të barazojnë 21-21, 22-22, 23-23 dhe 24-24. Dhe në pikët shtesë janë ata fitues të setit, 26-24.

Pothuajse të barabartë me kundërshtarin dhe në setin e dytë, por që në fund Rumania e ka fituar 25-22. Në të tretin sikur nuk janë më në fushën e lojës, ndërsa vendësit, në harkun kohor të 19 minutave, e kanë fituar 25-13. Edhe në të katërtin është e njëjta situatë, ndonëse ka patur momente reagimi. Por gjithsesi 25-21 dhe krejt ndeshja 3-1 për Rumaninë, e cila merr fitoren e dytë në katër ndeshje dhe ngjitet në kuotën e 6 pikëve me setavarazhin 8-7.

Kurse kombëtarja jonë mbetet në kuotën e zero pikëve me dy sete të fituara dhe 12 të humbura në katër ndeshje. Shpresohet që në vazhdim të këtyre kualifikueseve, Shqipëria të bëjë një tjetër paraqitje për të mos mbetur e fundit e grupit E.