RTSH Sport Live

Volejboll Meshkuj/ Shqipëria, e fundit në Grupin E

  • 08/05/2021
  • |
  • Të tjera
Volejboll Meshkuj/ Shqipëria, e fundit në Grupin E
Kuqezinjtë e rrjetës humbasin dhe ndeshjen e tretë kualifikueseve, 1-3 ndaj Sllovakisë

Shqipëria e volejbollit të meshkuj e ka humbur dhe ndeshjen e tretë në kualifikueset e Kampionatit Europian 2021. Pikërisht në mbrëmjen e së shtunës, në Nitra të Sllovakisë, kuqezinjtë e Jani Melkës janë mundur 3-1. E vetmia pozitive në këtë stacion të parë të kualifikueseve të Europianit ishte marrja e një seti kundrejt nëntë të humburave, ndërsa kolona e pikëve ka mbetur zero.

Në setin e parë tanët kanë bërë rezistencë, ndërsa sllovakët kanë fituar me vështirësi 25-20. Në të dytin, Sllovakia luan sikur të mos kishte kundërshtar në fushë, ndërsa fiton 25-13. Reagon Shqipëria në setin e tretë, ndërsa duke fituar 25-21 kërkon të rihapë ndeshjen.

Por në të katërtin nuk ka më histori, sepse Sllovakia ka fituar 25-19 dhe krejt ndeshjen 3-1. Ndërkohë ajo që bën përshtypje është fakti se Zvicra mundi Rumaninë 3-1. Dhe gjendja e grupit E pas stacionit të parë të kualifikueseve është: Sllovakia 9 pikë (9-2), Zvicra 6 pikë (6-4), Rumania 3 pikë (5-9) dhe Shqipëria 0 pikë (1-9).

Tanimë stacioni i dytë i kualifikueseve të Kampionatit Europian, duke nisur nga e enjtja e 14 majit, do të jetë në Ploesht të Rumanisë.