RTSH Sport Live

Volejboll Meshkuj/Shqipëria U17, nën drejtimin e Erin Sejatit

  • 23/05/2021
  • |
  • Të tjera
Volejboll Meshkuj/Shqipëria U17, nën drejtimin e Erin Sejatit
Kuqezinjtë në Europianin e korrikut pretendojnë të bëjnë një paraqitje dinjitoze

Erin Sejati është trajneri i Shqipërisë për moshën deri në 17 vjeç në volejboll për meshkuj, ndërsa Kampionati Europian do të zhvillohet në vendin tonë nga 10 deri më 18 korrik. Për Sejatin, teksa është rrëfyer në një intervistë për RTSH Sport, është vlerësim për të gjithë karrierën e tij si lojtar dhe më pas si trajner moshash.

“Në radhë të parë desha të falenderoj, presidentin, sekretarin dhe të gjithë bordin drejtues të Federatës për besimin që më kanë dhënë. Është një vlerësim jashtëzakonisht I madh, përpara është një kampionat europian, ku Shqipëria rrallë herë ka marrë pjesë”, ka deklaruar Sejati.

Shqipëria do të jetë në grupin A, ndërsa përballë do të ketë Turqinë, Rusinë, Belgjikën, Letoninë dhe Slloveninë. Çfarë mund të bëjë kombëtarja jonë përballë këtyre kundërshtarëve?

“Janë emra jashtëzakonisht shumë të mëdhenj: Rusia, Turqia, Sllovenia. Nuk e di se si mund të jenë me moshat, por me ekipet e para janë shumë lart. Ne do të përgatitemi denjësisht. Do të marrim masat tona që edhe ne të kemi një grup lojtarësh, që të përfaqësonjë ngjyrat kuqezi sa më denjësisht”.

E një kombëtare cilësore moshash mund t’i shërbejë së ardhmes së volejbollit shqiptar për djem. Ja dhe mendimi i Sejatit

“Ky projekt ka nisur që vitin që kaloi. Pavarësisht pandemisë, vështirësive që u shfaqën, kemi një vit që po përgatitemi për këtë aktivitet.  Këta lojtarë mund të marrin pjesë edhe te Kombëtarja e paratërinjve”.

I pari i bankinës kuqezi për moshën deri në 17 vjeç ka zbardhur dhe planet e përgatitjes së Shqipërisë në prag të këtij Europiani, i dyti që vjen në vendin tonë pas atij të 2018-ës për vajzat deri në moshën 19 vjeç.

“Tre javë para se të nisë kampionati, mendojmë që të grumbullohemi, mund të vazhdojmë me zbore të ndryshme”, ka përfunduar trajneri Sejati.