RTSH Sport Live

Volejboll Meshkuj/Shqipëria, zhgënjyese në kualifikueset e Europianit

  • 16/05/2021
  • |
  • Të tjera
Volejboll Meshkuj/Shqipëria, zhgënjyese në kualifikueset e Europianit
Të fundit në grupin E me gjashtë humbje në gjashtë ndeshje dhe vetëm 4 sete të fituara

Shqipëria në volejboll për meshkuj i ka mbyllur me humbje kualifikueset e Kampionatit Europian 2021 finalet e të cilit më 1-19 shtator do të luhen në Poloni, Republikën e Çekisë, Estoni dhe Finlandë. E nga grupi E të drejtën për të shkuar në këto finale e kanë fituar Sllovakia, që në ditën e fundit është 3-1 nga Rumania, dhe Zvicra, e cila me të njëjtin rezultat mundi kuqezinjtë e Jani Melkës.

Shqipëria kishte gjithçka në dorë për Rumaninë, sepse pas fitores me Sllovakinë,  rumunët, teksa ende nuk kishte startuar ndeshja e jonë me Zvicrën, ishin të dytët me 10 pikë. Pra çdo fitore e kuqezinjve 3-0, 3-1 dhe 3-2 e linte Zvicrën jashtë finaleve të Kampionatit Europian, teksa helvetët kishin 8 pikë në pesë ndeshje, dhe kualifikonin Rumaninë.

Por nuk ka ndodhur kështu. Tanët edhe pse kanë fituar setin e parë në pikët shtesë 27-25, edhe pse ishin pa kurrëfarë tensioni për shkak të rezultatit, në vazhdimin e lojës janë hija e vetvetes. Sidomos në setin e dytë, që e humbën 25-15, apo dhe në të tretin në të cilën u mundën 25-19.

Ka një farë shenje që mund të përmbyset situata në të katërtin. Por në fund 25-23 për Zvicrën dhe krejt ndeshja pas një orë e 35 minutash 3-1 për helvetët.

Kësisoj gjashtë humbje në gjashtë ndeshje, vetëm katër sete të fituara dhe 18 të humbura dhe zero pikë kjo ishte paraqitja më e zhgënjyese e viteve të fundit të kombëtares së meshkujve, ndërsa jemi të fundit të grupit E.