RTSH Sport Live

Volejboll, Sllovenia shpallet kampione e Europës

  • 18/07/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Volejboll, Sllovenia shpallet kampione e Europës
17 vjeçarët sllovenë mundën në finale Rusinë 3-0

Sllovenia është kampion e Europës për djem në moshën deri në 17 vjeç. Kombëtarja sllovene ka mundur në finale Rusinë 3-0, me një lojë bindëse duke çuditur të gjithë me atë çka tregoi në fushë. Ndërsa të gjithë parashikonin Rusinë si kampionen e Europës, ndodhi krejt e kundërta. Me një lojë të befasishme dhe tepër efikase në sulm, të mirëorganizuar e me një mbrojtje të saktë, djemtë e trajnerit Istok Ksela fitojnë 3-0 dhe tashmë janë kampionë të Evropës.

Seti i parë ka qenë tepër i ekulibruar, ku Rusia është gjithnjë përpara por jo më shumë se sa një pikë diferencë deri në barazimin 22-22 e më pas 23-23. Dy shërbime të sakta të Marov bëjnë që seti i parë të fitohet nga Sllovenia 23-25. Në setin e dytë Sllovenia kryeson deri në 5-3, më pas barazon Rusia 6-6. Sllovenia është më e saktë dhe kryeson sërish 7-10. 9-13 për Slloveninë.

Rusia vuan mungesën e organizimit të lojës. 12-16 dhe trajneri rus merr pushimin e dytë duke u munduar të ulë disi presionin e lojës mbi skuadrën e vet. Volejbollistët rusë nuk janë të saktë në mbrojtje dhe seti i dytë mbyllet sërish në favor të Sllovenisë 21-25. 0-2 me sete për ta. Seti i tretë na shfaq të njëjtën panoramë si dy të parët. Sllovenët kryesojnë 3-7, trajneri rus merr pushimin e parë dhe duket tepër i rreptë me lojtarët e tij në udhëzimet që jep.

Barazim 12-12. Por loja e mirë e dy volejbollistëve sllovenë, Marov dhe Okon bëjnë diferencën duke e çuar edhe setin e tretë në favorin e vet 23-25. Sllovenia shpallet kampion e Europës, teksa medaljet dhe trofeun ia dorëzon ekipit kampion, presidenti i Komitetit Olmpik Shqiptar, Fidel Ylli.

Në vendin e dytë renditet Rusia dhe në të tretin Polonia. Europiani i volejbollit për 17 vjeçarët është transmetuar drejtpërdrejt në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Ndërsa ndeshjet janë zhvilluar në sallën sportive “Feti Borova“ në Tiranë.