RTSH Sport Live

VOLEJBOLL/ Ylli Tomorri, për gjithçka në rrjetën shqiptare

  • 28/05/2021
  • |
  • Të tjera
VOLEJBOLL/ Ylli Tomorri, për gjithçka në rrjetën shqiptare
Partizani, rivalët, kombëtarja dhe Shqipëria U-17 në mendimet e trajnerit të kuq

Pas një sezoni të kuq të rrjetës shqiptare, atje ku Partizani në volejboll për meshkuj e femra u shpall kampion dhe fitues i Kupës së Shqipërisë, tanimë është koha dhe për analiza. Trajneri i djemve të kuq, Ylli Tomorri, rrëfen për RTSH Sport se çfarë do të ndodhë me skuadrën e tij dhe se si do të jetë për sezonin e ri?

“Partizani është po ajo skuadër që ka qënë. Mund të ketë afrime të vogla, por dhe largime të vogla, por baza dhe bërthama e skuadrës do të jetë po ajo.  Natyrisht, jemi të prirur që të ruajmë dy trofetë që kemi fituar”.

Tirana e riformatuar tashmë me trajnerin e ri Arben Sako dhe zbehja e Erzenit, nënkampione e Shqipërisë dhe finaliste e Kupës, në fokusin e të parit të pankinës së Partizanit.

“Tirana ka qënë gjithmonë skuadër e mirë, ka lojtarë shumë të mirë, të pjekur, me dëshirë, I kam patur në skuadër dhe premtojnë shumë. Sako është një trajner profesionist, i cili shkon te Tirana për ti dhënë një frymë të re. Sa për Erzenin, mendoj se nuk do të jetë ashtu siç flitet, nuk do të zhbëhet. Erzeni i Shijakut ka potencial, ka lojtarë, ka një lojtar më tepër se skuadrat e tjera, një lojtar shumë të fuqishëm, që është publiku i Shijakut”.

E si ish-trajner i kombëtares, teksa tashmë ka përfunduar dhe pjesëmarrja e Shqipërisë në kualifikueset e Europianit, Ylli Tomorri jep mendimin e tij se si mund të bëhej më mirë në këtë pjesëmarrje

“Mendoj se ne në qendër të vëmendjes kemi pjesëmarrjen. Natyrisht, ne konsiderojmë sukses pjesëmarrjen dhe nuk konsiderojmë sukses rezultatet”.

A mund të merrej më shumë përballë Rumanisë, Sllovakisë dhe Zvicrës?

“Shumë më tepër mund të merrnim në këto ndeshje. Niveli i skuadrës tonë është shumë më i lartë se niveli i tre skuadrave të tjera, që unë me kënaqësi dhe me hidhërim i ndoqa”.

Një ish-lojtar i tij si Erin Sejati, trajneri i kombëtares së Shqipërisë në Kampionatin Europian të moshës deri në 17 vjeç, i cili do të zhvillohet në Tiranë më 10 deri më 18 korrik, ka nga pas dhe komentin e Ylli Tomorrit.

“Si trajner, Sejatin e kam patur lojtarin tim te Studenti, është një djalë me vullnet. Shpresoj dhe I uroj që të mos bëhet vegël e të tjerëve, port ë punojë për veten”, ka përfunduar Tomorri.