RTSH Sport Live

Volf: Budapesti ishte çështje fati

  • 04/08/2022
  • |
  • Formula 1
Volf: Budapesti ishte çështje fati
Kreu i “Mercedes”-it hedh poshtë idenë e rikthimit të skuadrës së tij si pretendente

Kreu i skuadrës së “Mercedes”-it në Formula 1, Toto Volff mendon se skuadra e tij duhet të jetë e ndërgjegjshme për deficitin që ka kundrejt “Ferrari”-t dhe “Red Bull”-it sa i përket shpejtësisë, duke besuar se ajo që ndodhi në Hungari ishte çështje fati. Në Budapest, Xhorxh Rasëlli siguroi, për herë të parë në karrierë, nisjen nga vendi i parë, që ishte gjithashtu e para për “Mercedes”-in në këtë sezon të vështirë të 2022-shit.

Edhe pse britaniku nuk arriti ta ruante këtë vend të parë në garën e së dielës, ai dhe shoku i tij i skuadrës, Ljuis Hemilton, arritën të sigurojnë, për të dytën garë radhazi, një podium të dyfishtë, pasi 7 herë “kampioni i botës” mori vendin e dytë dhe i riu të 3-tin. Por Volf ka paralajmëruar se kjo paraqitje e shkëlqyer e skuadrës mund të ketë ardhur për shkak të asaj që ai e quajti “stuhia e përsosur”.

Rreshjet e shiut të shtunën dhe të dielën në mëngjes sollën ulje të temperaturave dhe ndryshim të ndjeshëm të kushteve të pistës, çka e dëmtoi “Ferrari”-n dhe i shkoi për shtat “Mercedes”-it, që pati vuajtur në provat e lira të së premtes dhe bëri shumë ndryshime. Prandaj, Volfi nuk është i sigurt nëse “Mercedes”-i do të jetë në gjendje ta përsërisë paraqitjen e saj në Çmimin e Madh të Hungarisë përgjatë gjysmës së dytë të sezonit.

“Mendoj se ne duhet të jemi të kujdesshëm në atë që në Budapest ishim me fat dhe nuk do të thotë se do të vazhdojmë të jemi”, - deklaroi Volf, duke shtuar: “Skuadra e tjera, sidomos “Ferrari”, u ankuan për gjendjen e gomave, ndaj, për mendimin tim, ne jemi akoma prapa dy rivalëve tanë të kreut. Ju e keni parë që, me gomat e duhura, Sharl Lëklerku, është një kundërshtar i fortë, por të paktën ne po bëjmë garë me ta”.

Duke përgëzuar dy pilotët e tij, kreu i skuadrës gjermane reflektoi mbi gabimet që u bënë në provat e lira dhe ato zyrtare dhe që u kushtuan atyre në garë. Në fakt, “Mercedes”-i ka vuajtur mjaft në 4-mujorin e parë të vitit me çështjen e tundjes së makinës dhe mungesën e ritmit, por tanimë po bën një paraqitje të qëndrueshme dhe ka siguruar 11 podiume, po aq sa “Ferrari”, ndërsa Hemiltoni ka marrë 6 podiume, krahasuar me 5 të Lëklerut.