RTSH Sport Live

Vora, kreu sa pranë dhe larg

  • 09/02/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Vora, kreu sa pranë dhe larg
Në vendin e tretë në renditje skuadra e Artan Merxhushit tenton të lërë pas Sopotin dhe Valbonën

Vora është skuadër potenciale për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë. Jo vetëm për shkak të pikëve, teksa është në vendin e tretë të grupit A të Kategorisë së Dytë me 20 pikë, por dhe për lojtarët që ka në gjirin e vet. Alternimi i lojtarëve të përvojës si Raboshta, Magani apo Xhemalaj me futbollistët më të rinj në moshë që nga portieri Jata për të vijuar me Stafën, Gjonin, Karajn, Sefën, Metën, Vrapin, Bashën apo dhe Lalën e kanë bërë Vorën e Artan Mërxhushit të bukur në lojë. Para tyre në renditje Sopoti 22 pikë dhe Valbona 21 pikë dhe gara për vendin e parë është shumë e fortë.

"Patjetër që është një garë e fortë dhe shumë rivalizuese. Nuk e kishim menduar kështu me të thënë të drejtën për vetë investimet që kemi qoftë në skuadër, por dhe në infrastrukturë", thekson trajneri i Vorës, Artan Merxhushi.

I mësuar të stërvisë në Kategorinë Superiore dhe të Parë, Merxhushi është duke provuar një eksperiencë ndryshe nën drejtimin e Vorës.

"Duke u nisur nga serioziteti që kanë drejtuesit, duke u nisur dhe nga emrat që më janë ofruar në skuadër, të cilët janë lojtarë që kanë përvojë në Kategorinë Superiore dhe të Parë, mendova që duhet dhe m'u duk tunduese", nënvizon kryepankina e Vorës.

Realisht skuadra është një “makineri golash”, teksa në fushën e vet ka fituar 4-0 me Ilirinë dhe 5-1 me Veleçikun. Por kujt i druhet më shumë Vora, Sopotit apo Valbonës?

"Janë skuadra për t'u respektuar të dyja. Nuk mund t'i dalloj. Ato po bëjnë kampionatin e tyre. Kanë marrë maksimumin, sidomos Sopoti në të gjitha ndeshjet. Pretendojmë që kemi diçka më shumë dhe duhet ta tregojmë këtë me rezultate", bën të ditur Merxhushi.

Sigurisht në skuadër ka dhe momente që gjërat nuk shkojnë si duhet dhe Merxhushi thotë:

"Nuk mund të shkojë në raport të drejtë investimi apo kualiteti me rezultatin. Ka raste që çedon dhe kjo për shumë faktorë, njëri prej të cilëve janë gjykimet, apo terrenet e vështira që disa fusha kanë"

Objektivi është ngjitja në Kategorinë e Parë dhe kjo mund të jetë zgjatja e kontratës së Merxhushit me Vorën.

"Kemi një kontratë në vazhdim për sezonin e ardhshëm.  Unë ndjehem mirë. Kam gjetur një seriozitet të jashtëzakonshëm nga drejtuesit", shpjegon Merxhushi.

Këtë të shtunë Vora mbyll fazën e parë ndaj Murlanit në transfertë në ora 13:00.