RTSH Sport Live

Vora, poker golash Bulqizës

  • 25/02/2023
  • |
  • Kategoria e Dytë
Vora, poker golash Bulqizës
Skuadra e Artan Mergjyshit merr kreun e grupit A, ndalet Sopoti, goditet gjyqtari në Gramsh

Vora jo vetëm që ka marrë suksesin e nëntë në Kategorinë e Dytë, kjo pas javës së trembëdhjetë, por tanimë është dhe kryesuese e grupit A. 29 pikë për skuadrën e Artan Merxhushit me një golaverazh 33-10, ndërsa gjithçka ka ardhur pas fitores me Bulqizën, 4-0, në ndeshjen e cila ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Vora është kryesuese e grupit, edhe sepse Iliria i ka bërë “bllok” Sopotit në Fushë-Krujë, ndërsa skuadra vendëse ka fituar 1-0.

Vorakët e kanë zgjidhur shpejt ndeshjen, ndërsa në të 10’, në një goditje këndi nga e majta e sulmit, Shani ka kërcyer mbi mbrojtësit e Bulqizës e me kokë e ka dërguar topin në rrjetë. Pas pesë minutash, Raboshta ka shënuar golin e dytë dhe përtej përpjekjeve të vendësve deri në përfundim të pjesës së parë nuk do të ketë ndryshim shifrash. Në pjesën e dytë Prengaj në të 75’ ka shënuar golin e tretë, kjo pas një goditje nga rreth 20 metra, që ka përfunduar në krahun e majtë të Spahos. Dhe një minutë përpara përfundimit të krejt ndeshjes ka kohë dhe për golin e Maganit dhe në vërshëllimën e fundit të Ditmir Grimcit, 4-0 për Vorën.

Por ndërkohë dhuna është ulur përsëri këmbëkryq në Kategorinë e Dytë, teksa është goditur gjyqtari Anxhi Lushi për një penallti të dhënë për Vorën. E për rrjedhojë ndeshja nuk ka vazhduar më. Në takimet e tjera Veleçiku ka mundur Shënkollin, 5-1, kurse Naftëtari, ka fituar 4-1 ndaj Adës. Në grupin B, Devolli ka fituar në Patos, 2-1 ndaj Albpetrolit, kurse Delvina ka mundur 2-1 Tepelenën. Kryendeshja e grupit B luhet të dielën në “Elbasan Arena”, Elbasani – Pogradeci.