RTSH Sport Live

Vorskla Karkiv e Vllaznia, barazim paqësor

  • 21/09/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Vorskla Karkiv e Vllaznia, barazim paqësor
Golit të Megi Doçit i përgjigjet Osipian, kualifikimit vendoset pas një jave po në Shkodër

Vorskla Karkiv 2 dhe Vllaznia janë ndarë në barazim në ndeshjen e parë të raundit të 1/32 të finaleve të Ligës së Kampioneve. Një ndeshje, e cila është luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër dhe që ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Takimi, atje ku skuadra ukrainase Vorskla Karkiv 2 ishte pritëse, ka nisur me ceremoninë e dorëzimit të Këpucës së Artë për golashënuesen më të mirë të sezonit të kaluar, Megi Doçi. E më pas pjesa e parë ka qenë nën kontrollin e skuadrës ukrainase, ndërsa Vllaznia duket si e mpirë. Momentin e parë të mirë Vorskla Karkiv e regjistron në të 15’, ndërsa gjuajtjen e Kalininës e ka pritur Uilliams.

Madje një minutë më vonë në mënyrë të çuditshme, ukrainaset nuk kanë gjetur golin, por kanë preferuar të pasojnë për njëra-tjetrën edhe pse ishin në pozicion të volitshëm. Gjithçka i referohet minutës së 16-të dhe momentit të Radionovës. Vllaznia zgjodhet dhe Doçi në të 32’ krijon momentin më të rrezikshëm, që është pritur nga Samson. Por kundërpërgjigjet menjëherë skuadra ukrainase, ndërsa Uilliams frenon Andrukin. Shkodraneve u vjen në ndihmë dhe traun i portës, kjo në të 41’, pas gjuajtjes së Kalininës.

Përfundimisht 0-0 në 45 minutat e para. Pjesa e dytë nis mirë për Vllazninë, sepse Megi Doçi, në të 53’, ka gjetur golin e avantazhit, teksa e ka dërguar topin në të djathtë të Samson. Vorskla shkundet dhe dy minuta më vonë Korsun me kokë godet shtyllën e djathtë pingule të portës shkodrane.

Në të 64’ akordohet penallti për Vorskla Karkiv, ndërsa ndërhyrja e Maliqit ndaj Kravçuk është konsideruar e parregullt. Godet nga pika e bardhë Kalinina, por Uilliams grushton dhe topin e kthyer në lojë e ka dërguar në rrjetë Osipian. Përtej përpjekjeve të të dy ekipeve, gjithçka është ndalur në barazimin 1-1 dhe kalimi për në fazën e grupeve vendoset pas një jave, përsëri në Shkodër.