RTSH Sport Live

Xhaka, fenomenal gjatë gjithë sezonit

  • 20/03/2023
  • |
  • Angli
Xhaka, fenomenal gjatë gjithë sezonit
Arteta thurr elozhe për 30 vjeçarin, stërvitja intensive justifikon paraqitjet e lojtarit

Para se të shfaqej fenomenal, ashtu siç e cilëson Mikel Arteta, Granit Xhaka pati një periudhë me shumë oshilacione tek ekipi i Arsenal, mes debateve të shumta, heqjes së shiritit të kapitenit apo edhe problemeve në dhomat e zhveshjes, tashmë duket se gjërat kanë ndryshuar për lojtarin 30 vjeçar.

Pas golit në Europa League, Granit Xhaka gjeti sërish rrugën e rrjetës me Arsenalin, këtë herë në fitoren 4-1 të Arsenal ndaj Crystal Palace në Premier League.

Mesfushori me origjinë shqiptare është shndërruar në një lider të The Gunners në këtë sezon teksa trajneri Mikel Arteta e vlerëson lojtarin 30-vjeçar duke treguar se sa mirë po bën Xhaka edhe në stërvitje dhe se si ka ardhur ky sezon ndryshe për Granitin.

 “Ajo që ka ndryshuar tek Granit Xhaka është se ai ka nisur të fitojë sërish besimin. Është në vendin e duhur në fushë dhe tashmë gjendet në vendin e duhur në kohën e duhur. Para sfidës i thashë se do të shënonte serish sepse është me mentalitetin e duhur. Këtë mund ta shohësh shumë lehtë në mënyrën si po stërvitet, gjëra të mira do të vijnë për Xhakën. Për mua ai është shfaqur fenomenal për të gjithë sezonin dhe kështu duket sikur problemet kanë marrë fund, gjithashtu stërvitja e tij  intensive justifikon të gjithë paraqitjen e shkëlqyer që ka bërë gjatë gjithë sezonit me skuadrën tonë”, ka deklaurar Arteta.