Kupa e Ligës Angleze, që është një nga ekskluzivitetet madhore sportive të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, ka njohur të mërkurën në mbrëmje finalisten e saj të parë dhe ajo është Çelsi, që ka mposhtur në dy duelet e gjysmëfinaleve, Totenhemin. Ndërkaq, të enjten është luajtur takimi i parë të çiftit tjetër të gjysmëfinaleve, që supozohej të luhej të enjten e shkuar, Liverpul-Arsenal, por u shty për shkak të rasteve të shumta me “Covid-19” të skuadrës vendase. Kështu, ky takimi i parë, që u luajt të enjten dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt në kanalin RTSH Sport të transmetuesit publik, ka parë skuadrën mike të mbetet me 10 lojtarë, pas 25 minutash lojë, për shkak të daljes me karton të kuq të Granit Xhakës.
Ndonëse Liverpuli është munduar të përfitojë menjëherë nga epërsia numerike, duke e mbizotëruar lojën dhe duke e synuar portën londineze, Arsenali i bën ballë trysnisë së vendasve dhe, përtej rasteve të rrezikshme, pjesa e parë e takimit të luajtur në “Enfilld”, do të mbyllet me rrjeta të paprekura. Edhe pjesa e dytë ta patur të njëjtën tablo, me Liverpulin që krijon një vëllim më të madh loje dhe mbizotëron, por me Arsenalin që mbrohet me disiplinë të hekurt, duke u mohuar vendasve madje edhe mundësinë për të goditur portën.
Edhe kur kjo mundësi është paraqitur në minutën e fundit të kohës së rregullt, ajo shpërdorohet në mënyrë të pabesueshme nga Minamino për vendasit. Përtej 5 minutat shtesë të ethshme, mbyllet me shifrat 0-0 kjo përballje midis Liverpulit dhe Arsenalit dhe londinezët, edhe pse e luajtën shumicën e ndeshjes me një lojtar më pak, marrin një rezultat pozitiv për ndeshjen e kthimit, që do të kuhet pas një jave, më 20 janar 2022.