Në prag të grumbullimit të Kombëtares, trajneri Edoardo Reja mund të marrë zemër nga fakti se disa prej lojtarëve të tij, sidomos ata të fazës sulmuese, janë në formë të shkëlqyer. Një i tillë është edhe sulmuesi i Kombëtares kuqezi, Xhiakomo Vrioni, i cili ka gjetur sërish rrugën e rrjetës, kësaj radhe përballë Rapidit të Vienës, në sfidën e “play-off”-it të Bundesligës austriake për një vend në Ligën e Konferencës sezonin e ardhshëm. 23-vjeçari shënoi në minutën e 27-të, duke shkurtuar diferencën e golave dhe duke e çuar rezultatin në 1-2, me anë të një gjuajtje me të majtën dërgoi topin në rrjetë.
Por skuadra e tij nuk ka arritur ta përmbysë humbjen, ndërsa ndeshja e kthimit zhvillohet pas 3 ditësh në kryeqytetin austriak, Vjenë. Kështu Vrioni shkon në kuotën e 19 golave, po aq sa sulmuesi gjerman i Salzburgut, Karim Adejemi. Nëse sulmuesi kuqezi do të gjejë dhe një herë rrjetën, atëherë ai do të bëhet golashënuesi i sezonit në Bundesligën austriake dhe shqiptari ka edhe 90 minuta të tjera në dispozicion për ta arritur një gjë të tillë.
Vrioni po përmbyll një edicion shumë të suksesshëm në rrafshin personal dhe, në 4 ndeshjet e fundit, 23-vjeçari ka realizuar nga një gol, kurse në 7 ndeshjet e fundit ka realizuar 9 gola. Gjithsej këtë edicion në Bundesligën e Austrisë, në 27 ndeshja, sulmuesi kuqezi ka realizuar 19 gola dhe ka dhënë edhe 4 pasime për gol. Vrioni është huazuar nga Juventusi tek Tiroli, ndërsa është aktivizuar edhe 3 herë me fanellën e Kombëtares kuqezi, teksa është thirrur edhe për 3 ndeshjet e gjysmës së parë të qershorit.