RTSH Sport Live

Xhevahir Sukaj: Golin e Çinarit e kisha parashikuar

  • 21/01/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Xhevahir Sukaj: Golin e Çinarit e kisha parashikuar

Sulmuesi i shumëshëtitur, Xhevahir Sukaj, i ftuar në emisionin Rubrika Sportive në RTSH, ka folur për zhvillimet më të fundit në Kategorinë Superiore, duke u ndalur në veçanti te skuadra e zemrës, Vllaznia. Nuk kanë munguar komentet dhe për derbin.

“Një natë përpara i thashë në telefon trajnerin Daja, që Çinari do shënojë gol. E kisha si parandjenjë. Përsa i përket ndeshjes, mund të them se dy vite më parë ishte më i bukur. I sotmi nuk mund të them se ishte në nivelin e duhur, ndoshta dhe për shkak të mungesës së tifozëve. 

Partizani u fut në fushën e lojës për të fituar ndeshjen, u treguan shumë të disiplinuar taktikisht. Te Tirana kishte gabime, disa veprime të mbrojtësve ishin të pafalshme".

Vllaznia e kishte të vështirë në fushën e Bylisit edhe për shkak të terrenit. Gjithsesi, Sukaj është i bindur se shkodranët janë të aftë të tregojnë aftësitë e tyre në çdo fushë dhe përballë çdo kundërshtari. “Vllaznia është dominues ndaj çdo kundërshtari, pavarësisht emrit të skuadrës apo terrenit në të cilin luan. Të shpresojmë të vazhdojë kështu edhe në vazhdim. Shpërthimi i Hoxhajt? Nuk jam i surprizuar. Më kanë pyetur pjestarë të Vllaznisë për Hoxhajn, vetëm fjalë të mira, është një lojtar shumë i mirë”, ka deklaruar Sukaj.

“Çelësi i Vllaznisë? Mendoj se është trajneri, por dhe ndihmësit e tij. Plori dhe Osja janë çuna dhe profesionista të mirë, i do e gjithë Shkodra. Unë personalisht kam patur problem me trajnerët në çdo skuadër. Në Sephan kam patur një trajner të madh, me famë botërore, por ndihmësit prishnin punë”.

“Vllaznia duhet patjetër të privatizohet, pasi situate është që presin lekë nga Bashkia e Shkodrës. Nuk mund të japë shumë lekë. Është drejt privatizimit, kam patur biseda të ndryshme me disa donator, që duan të afrohen”.