RTSH Sport Live

Xhokoviç fiton setin e parë në Australi

  • 09/01/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Xhokoviç fiton setin e parë në Australi
Gjykata nuk pranon kërkesën e Qeverisë për shtyrjen e gjyqit me tenistin serb

Një kërkesë e qeverisë australiane për ta shtyrë apelimin që Novak Gjokoviç ka bërë kundër dëbimit nga vendi, është hedhur poshtë nga gjykatësi që po shqyrton çështjen e tij. Qeveria kishte kërkuar që seanca gjyqësore me yllin e tenisit të shtyhej deri të mërkurën, por tashmë është vendosur që ajo të mbahet të hënën në mëngjes, siç ishte planifikuar fillimisht. Gjokoviçit iu mohua hyrja në Australi javën e shkuar, pasi zbarkoi në Melbërn, ku pritej të luante për të mbrojtur titullin e fituesit të turneut të madh vendas. Çështja e tij ka shkaktuar një reagim të madh dhe ka pushtuar lajmet sportive anembanë botës.

Numri një i renditjes botërore të tenisit të meshkujve, i cili ka deklaruar se është kundër vaksinimit, ndodhet në një qendër të ndalimit të emigrantëve, teksa avokatët e tij përgatiten të apelojnë vendimin e qeverisë federale të Australisë për të anuluar vizën e tij. Tenistit 34-vjeçar i ishte garantuar një përjashtim mjekësor për të luajtur në “Australian Open”, një vendim që shkaktoi zemërimin e shumë  australianëve të thjeshtë, që kanë jetuar këto dy vitet e fundit nën regjimin e disa prej rregullave më të rrepta të mbrojtjes nga “Covid-19”.

Të shtunën, avokatët e tenistit serb dorëzuar një dosje prej 35 faqesh, ku argumentonin se klienti i tyre i plotësonte kushtet për një certifikatë të përjashtimit nga vaksinimi, për shkak të infektimit kohët e fundit nga “Covid-19”, që u konfirmuar nga një test PCR-ja më 16 dhjetor. Por Qeveria Australiane këmbëngul se një infektim i kohëve të fundit siguron përjashtim vetëm për rezidentët vendas. Mesa duket, avokatët e Gjokoviçit do t’i provojnë gjykatës se vendimi për t’i anuluar vizën u ndikua nga një sërë “gabimesh juridike”.

Nuk ka patur ndërkohë njoftim të mëparshëm për infektimin e tenistit me “Covid-19” dhe po qarkullojnë edhe foto të sportistit pa maskë në veprimtari të ndryshme sportive në Beograd gjatë ditëve që ai supozohet të ketë rezultuar pozitiv. Por nuk është e qartë nëse ai e dinte nëse ishte infektuar me “Covid-19” kur këto foto ishin bërë. Me pak fjalë, saga e tenistit serb vazhdon dhe gjithçka pritet të nisë të marrë zgjidhje në mëngjesin e së hënën, me orën australiane.