RTSH Sport Live

Xhokoviç humbet betejën dhe Australian Open

  • 16/01/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Xhokoviç humbet betejën dhe Australian Open
Gjykata i jep të drejtë Qeverisë Australiane, tenisti duhet të largohet nga vendi



Me një vendim unanim, gjykatësit refuzuan apelin e Novak Djokovic pasiiu refuzua lejeqëndrimi në Australi për herë të dytë. Motivet do të publikohen gjatë ditëve të ardhshme por lajmi i madh është mungesa e numrit 1 të botës në Australian Open ku kishte mundësinë reale për të fituar dhe për t’u bërë tenisti më i titulluar i turneve madhorë për të lënë pas Rafael Nadal dhe Roger Federer të cilët bashkë me serbin, numërojnë nga 20 trofe. Pas këtij vendimi Djokovic duhet të largohet menjëherë nga vendi i kangurëve ndërsa vetë ai ka reaguar në një intervistë për mediat vendase duke theksuar: “Jam shumë i zhgënjyer por tani do të marr kohën time për të pushuar”. Avokatët e tij kanë hequr dorë nga apelimet e tjera pasi veprimet e radhës gjithsesi do të zgjasnin dhe nuk do ta lejonin tenistin të zbriste në fushë për ndeshjen e parë, të programuar për ditën e hënë. Në këtë mënyrë, gjykata i dha të drejtë ministrisë së emigracionit edhe pse tenisti kishte pretenduar për parregullsi duke tentuar të fitonte sërish të drejtën e qëndrimit duke shfrytëzuar kleckat teknike të cështjes por jo thelbin e saj. “E respektoj vendimin e gjykatës dhe do të bashkëpunoj me të gjithë për largimin tim. Nuk ndihem mirë pasi gjatë gjithë këture ditëve vëmendja ka qenë e përqëndruar te mua dhe tani shpresoj që e gjithë kjo vëmendje të zhvendoset te turneu që unë e dua shumë. Ju uroj të gjithëve, lojtarëve, trajnerëve dhe zyrtarëve e tifozëve të Australian Open, shumë fat. Falënderoj gjithashtu edhe familjen time, miqtë, skuadrën, tifozët dhe bashkëkombasit e mi për mbështetjen e madhe që më kanë dhënë këto ditë”, përfundon deklaratën e tij Novak Djokovic. Ai do të qëndrojë në Melbourne deri në ditën e largimit nga Australia ndërsa me vendimin e marrë nga ministria e emigracionit, tenisti serb rrezikon hyrjen për 3 vitet e ardhshme në Australi edhe pse për këtë cështje nuk është marrë ende një vendim.