RTSH Sport Live

Xhonatan Islami “mbreti” i Albania Coast Trip

  • 07/11/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Xhonatan Islami “mbreti” i Albania Coast Trip
Ceremonia e mbylljes zyrtare të aktivitetit ka sjellë dhe shpërndarjen e trofeve

Xhonatan Islami është “mbreti” i Albania Coast Trip “Vitoraci Cup” në edicionin e parë, i cili përfundoi këtë fundjavë me shpërndarjen e trofeve në një ceremoni mbresëlënëse dhe me shumë miqësi. Miqësi, të cilat janë reflektuar dhe gjatë garës, edhe sepse duke qenë parashuta me motor kanë patur vështirësi për shkak të defekteve, që në fakt nuk është se e penguin aktivitetin. Gjithçka nisi në Qerret teksa pilotët u ngritën e shkuan në Fshatin Rinia, atje ku firmosën tek komisarët e garës, e më pas erdhën përsëri po në Qerret. Në përfundim të garës në fluturimin e parashutave me motorra, teksa u bë dhe goditja e pesë piramidave, u krye dhe fluturimi me precision mbi palaçinkë, ndërsa fitues të etapës së parë ishin Xhonatan Islami dhe Fanol Shala. Etapa e dytë ishte ndryshe për nga lloji, sepse pas një fluturimi në distancë nga Berati në fushat përpara parkut Arkeologjik të Apolonisë goditja e pesë piramidave kishte reflektime në kohën e përgjithshme. Fitues i saj ishte Ondrej Zabojnik, pas tij Xhonatan Islami dhe Ludek Svoboda. Dhe e fundit ishte fluturimi në distancë nga Gjirokastra në Libohovë e kthim. Në përfundim i pari Lukas Duda, në vendin e dytë Xhonatan Islami dhe në të tretin Lukas Koçiça. Në përmbledhjen e kohëve të përgjithshme, Xhonatan Islami në vendin e parë e pas tij Ondrej Zabojnik e Lukas Duda. Kupa dhe medaljet u shpërndarë nga drejtori i eventeve në Federatën Shqiptare të Aeronautikës, Alket Islami, i cili për Radio Televizionin Shqiptar ka treguar dhe se si do të ndërkombëtarizohet Albania Coast Trip “Vitoraci Cup”.

“Gara ende nuk është e certifikuar ndërkombëtarisht, ashtu sikurse garat e tjera, të cilat ne kemi në kalendar. Ne jemi duke punuar në këtë drejtim në mënyrë që vitin e ardhshëm të jetë një garë më e madhe, me më shumë pjesëmarrës dhe në një kohë të përshtatshme. Pse jo pilotët të arrijnë të marrin pikët e tyre”, ka thënë Alket Islami.

Xhonatan Islami, fituesi i edicionit të parë të Albania Coast Trip “Vitoraci Cup” ka shpallur dhe objektivat për vitin 2023, por pa harruar fokusin mbi “Gjirokastra Open”, që do të zhvillohet në fund të nëntorit.

“Unë garat e mia ndërkombëtare për këtë vit i kam përfunduar. Jam duke u përgatitur për vitin tjetër, po pa harruar pjesëmarrjen në Gjirokastra Open, apo në Pejë në mënyrë që ta mbyll vitin në mënyrën më të mirë të mundshme”, përfundon Xhonatan Islami.

Në këtë mënyrë, Aeronautika shqiptare mbylli një aktivitet që më së shumti pati për qëllim njohjen e të ardhurve me bregdetin e vendit tonë dhe mbi të gjitha rritjen e interesit të tyre për turizëm edhe në Shqipëri.