RTSH Sport Live

Xhovani Kolela, trajneri i ri i Partizanit

  • 10/08/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Xhovani Kolela, trajneri i ri i Partizanit
Pritet zyrtarizimi i shpejtë i italianit, largohet Belica, ja hipotezat për afrime

Do të jetë Xhovani Kolela emri i ri i stolit të Partizanit, ndërsa prezantimi i trajnerit të ri pritet të ndodhë të mërkurën pasdite. RTSH Sport ka mësuar nga burimet në klubin e kuq se ish-trajneri i Apolonisë ka marrë vendin e lënë bosh nga Mehmeti. Në fakt, ai ishte dhe pretendenti kryesor për ta marrë këtë post ndërmjet tre emrave të tjerë që kanë qarkulluar në mjedisin futbollistik, midis të cilëve edhe një kroat.

Të martën mesditë klubi kryeqytetas e ka zyrtarizuar shkarkimin nga detyra të trajnerit Dritan Mehmeti me një njoftim në profilet e tij në rrjetet sociale. Pak orë më vonë, Partizani ka bërë të ditur edhe mbylljen e bashkëpunimit me lojtarin Egzon Belica. “Mbrojtësi dhe klubi kanë vendosur të ndërpresin me mirëkuptim kontratën mes palëve. FK Partizani falënderon Egzon Belicën për kontributin e dhënë me fanelën e kuqe, duke i uruar njëkohësisht shumë suksese në karrierën e tij sportive”, thuhet në një njoftim të shkurtër.

Eliminimi që në turin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës përballë Saburtalos, edhe pse e kishte fituar ndeshjen e parë, por edhe forma jo bindëse gjatë miqësoreve të verës, që kulmoi në atë humbje 0-3 të dielën në Pogradec përballë Bylisit, i kanë kushtuar stolin trajnerit Dritan Mehmeti.

Ndërkaq një kandidaturë për sulmin e të kuqve kryeqytetas është ganezi Alfred Mensah, që luajti sezonin e shkuar me Skënderbeun, por që duket se dëshiron të mbetet në Superiore pas rënies së korçarëve në Kategorinë e Parë.

Një tjetër alternativë është qendërsulmuesi kroat, Dominik Radiç, 26-vjeçari që ka luajtur në Kroaci, Sllovaki dhe Republikën Çeke. Megjithatë, me kaq shumë dilema e të panjohura në kaq pak kohë sa ka mbetur, situata tek Partizani është shndërruar në një rebus të vërtetë. Një rebus që sidoqoftë ka nisur të marrë zgjidhje të paktën me emërimin e trajnerit të ri.