RTSH Sport Live

Xhudo/Distria Krasniqi, kampione e Europës. Nora Gjakova, e bronztë

  • 16/04/2021
  • |
  • Kosova
Xhudo/Distria Krasniqi, kampione e Europës. Nora Gjakova, e bronztë
Kosova, me medalje të artë dhe të bronztë në Kampionatin Europian në xhudo

Kosova  ka arritur të fitojë  dy medalje në Kampionatin Europian në xhudo që po mbahet në Lisbonë të Portugalisë.

Distria Krasniqi ka arritur të rrëmbejë medaljen e artë duke u shpallur kampione e Europës. Në peshën deri në 48 kilogram, xhudistja kosovare doli në finale përballë xhudistes nga Ukraina, Daria Bilodid. Por kjo e fundit u u tërhoq për shkak të një dëmtimi.

Bilodid është kampione e dyfishtë Botërore dhe Europiane, por kësaj radhe fati është me Distria Krasniqin, që për të mbërritur deri në finale, kaloi italianen Francesca Giorda, izraeliten Shira Rishony dhe rusen Sabina Giliazova.

Ndërkohë, Nora Gjakova, në peshën 57 kilogram,  ka arritur të marrë medaljen e bronztë në Europianin e xhudos në Lisbonë. Gjakova arriti që të kualifikohet deri në gjysmëfinale, por aty u mund nga xhudistja nga Portugalia, Telma Monteiro. Për medaljen e bronztë u ndesh me xhudisten nga Gjeorgjia, Eteri Liparteliani dhe arriti të fitojë.