RTSH Sport Live

Xhudo shpall më të mirët e vitit

  • 16/05/2021
  • |
  • Të tjera
Xhudo shpall më të mirët e vitit
Ambasadori i Japonisë në Tiranë, Takada Mitsujuki, vlerëson masivitetin e këtij sporti

E shtuna ka qenë një ditë festive jo vetëm për xhudon shqiptare, por dhe në tërësi për sallën sportive “Farie Hoti”, e cila ka pasur një numër të madh pjesëmarrësish ndryshe nga aktivitetet e tjera sportive në këtë kohë pandemie Covid-19. Federata Shqiptare e Xhudos ka bërë shpërndarjen e diplomave për gradën 1, 2 dhe 3 dan. Më pas janë licencuar për një periudhë 3-vjeçare specialistë e trajnerë të këtij sporti. Po kështu është shpallur Indrid Çullhaj xhudisti më i mirë ndër vite, ndërsa Xhovani Shkoza sportisti më i mirë i vitit 2020.

Federata Shqiptare e Xhudos nuk ka harruar të japi dhe mirënjohje për ato që pasqyrojnë e mbështesin këtë sport, ndërsa një e tillë ka shkuar dhe për drejtoreshën e klubit shumësportësh Tirana, Deborah Keçi. Në këtë ceremoni ka qenë i pranishëm dhe ambasadori i Japonisë në Tiranë, Takada Mitsujuki.

 “E vlerësoj shumë prezencën time në këtë ceremoni nderimesh e vlerësimesh të Federatës Shqiptare të Xhudos. Jam shumë i impresionuar nga pjesëmarrja. Mbi të gjitha vlerësoj promovimin që bën Federata Shqiptare e Xhudos dhe besoj se me këtë masivitet do të ketë shumë shpejt rezultate të mira”.

Ndërkohë pas vlerësimeve e nderimeve është zhvilluar dhe një turne për fëmijët në xhudo.

Ditë më parë ambasadori japonez Mitsujuki ka patur dhe një takim me presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, ndërsa jep mendimin e tij për delegacionin shqiptar që do të jetë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

 “Nga biseda me presidentin Ylli u informova se 5 sportistë do të jenë pjesë e delegacionit shqiptar në Tokio. Unë shpresoj që Tokio t’i mirëpres ato dhe i uroj të kenë rezultate të mira në Lojërat Olimpike. Kemi nevojë për nxjerrje në pah të vlerave sportive të të dy vendeve”.