RTSH Sport Live

Zbulohet “njeriu X” i Tiranës

  • 09/01/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Zbulohet “njeriu X” i Tiranës
Bardheblutë kanë arritur akordin me ish-sulmuesin brazilian të Kastriotit

Goditja e parë në merkato, që me shumë mundësië shtë dhe e fundit, është kryer. Tirana ka lajmëruar ardhjen e një lojtari, duke lënë mister identitetin e tij, në një postim në rrjetet sociale. Por sipas të gjitha informacioneve që vijnë, jo vetëm nga klubi, por dhe nga faqet e profilizuara sportive, ai është Devid de Santana Silva. Braziliani 25 vjeçar është akorduar me bardheblutë dhe do të jetë zëvendësuesi i Majkëll Ngo të dëmtuar, kthimi i të cilit në fushën e lojës parashikohet të ndodhë në fillim të marsit.

E atëherë ja ku mbërrin Devid, që vjen nga liga e dytë portugeze, nga radhët e Covilha, por që është një njohje e vjetër e Superiores, duke qenë se në sezonin 2020/2021 ka luajtur me skuadrën e Kastriotit. Sulmuesi 190 cm i gjatë ka bërë 11 paraqitje me portugezët dhe mbërrin në kryeqytet me statusin e 10 golave të shënuar në 29 ndeshje me krutanët, që kontribuan në shpëtimin e skuadrës së Ndreut atëherë.

Shtatlarti njihet për lojën e fortë në ajër, por zotëron dhe një teknikë të mirë, karakteristika që e përafrojnë shumë në fakt me anglezin e dëmtuar. Kjo ka qënë dhe arsyeja që Tirana insistoi shumë për të marrë sulmuesin në janar, në tentaivë për të përforcuar një ofensivë që mund të besojë ndërkohë te Seferi e Xhixha. Drejtuesit e Tiranës e kishin si kusht, që të afronin një lojtar që ta kishin të njohur për potencialin e tij dhe tani mbetet vetëm zyrtarizimi për ta konsideruar një lojtar të Tiranës.

Lëvizje që dëshmon gjithashtu se bllokimi i merkatos ka marrë fund, me pagesën e detyrimit që 25 herë kampionët kishin ndaj Gyamfi dhe Danso. Sipas asaj që filtron nga klubi, merkato e tyre është e mbyllur, por në rast të ndonjë oferte për Ismajlgecin ose një mundësie të papritur në dritaren dimërore, askush nuk do të tërhiqet prapa…