RTSH Sport Live

Zidane mbush 50 vjeç dhe vendos objektivat: Drejtimi i Francës do të ishte kulmi

  • 23/06/2022
  • |
  • Futboll Bota
Zidane mbush 50 vjeç dhe vendos objektivat: Drejtimi i Francës do të ishte kulmi
Ish-trajneri i Realit: "Dua të mbyll rrethin me kombëtaren. Psg? Tani jo, por kurrë mos thuaj kurrë"

Zinedine Zidane fryu 50 qirinj në tortën e ditëlindjes dhe, si verën e kaluar, e festoi si i papunë. Kampioni i trefishtë i Europës në krye të Real Madridit është trajner luksi i lirë, por nëse nuk është rikthyer ende në pankinë me gjithë miqësitë e shumta, ka vetëm një arsye: ai dëshiron të bëhet trajner i Francës. "Do të ishte gjëja më e mirë që ekziston - komentoi Zizou - Është qëllimi im edhe nëse nuk varet vetëm nga unë”.

"Një ditë do të jem trajner i ‘Bleus’, të paktën kështu shpresoj sepse është diçka që e dua shumë. Nuk varet nga unë, por dua të mbyll rrethin me Francën sepse është gjithmonë brenda kokës time, nuk ka gjë tjetër më të mirë për të menduar. Sot përfaqësuesja është në rregull, por nëse paraqitet mundësia në të ardhmen do të jem gati".

Ndërkohë, ka pasur disa mundësi që Zidane të rikthehet në stol, nga ëndrra e Juventusit te Manchester United e PSG. Pikërisht për klubin parisien, Zizou - nga Marseja - ka dyshime: "Kurrë mos thuaj kurrë, sidomos në ditët e sotme. Nuk ka asgjë në lojë, nuk është çështje aktualiteti, por sigurisht që nuk janë 50 klube në të cilat mund të shkoj të stërvis".