RTSH Sport Live

Zvicra, kundërshtari i radhës ndaj Shqipërisë

  • 13/08/2022
  • |
  • Të tjera
Zvicra, kundërshtari i radhës ndaj Shqipërisë
Takimi i parafundit i Grupit G, drejtpërdrejtë në RTSH Sport (19:00)

Tre ditë pasi është mundur në 4 sete në Zvicër përballë përfaqësueses vendëse, kombëtarja kuqezi do të luajë sonte takimin e kthimit, teksa do t’i presë helvetët në Tiranë. Kjo është ndeshja e 5-të dhe e parafundit e Shqipërisë në kuadër të grupit G të eliminatoreve të Kampionatit Europian të Volejbollit për Meshkuj, teksa kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Jani Melka kanë pësuar 3 humbje dhe kanë marrë vetëm një fitore duke mbetur në vendin e fundit të renditjes. Duhet theksuar se në këtë fushatë eliminatore, kombëtarja e drejtuar nga Jani Melka ka qenë e pafat, teksa një numër lojtarësh nuk i janë bashkuar ekipit për shkak të dëmtimeve afatgjata apo arsyve personale, ndërsa edhe grupi aktual është goditur nga dëmtimet e shpeshta, siç ishin ato të kapitenit Anton Qafarena dhe pasuesit Muharrem Deliu, apo, së fundmi, edhe të Julian Çelës.

Në takimin e së mërkurës, Kombëtarja kuqezi ka bërë një set të parë mjaft të mirë, duke kryesuar gjatë gjithë kohës dhe duke ruajtur gjakftohtësinë në fund, për ta fituar atë me shifrat 25-23. Por skuadra vendase ka reaguar në setin e dytë, duke kryesuar atë dhe duke e fituar me shifrat 25-20. Dy setet e tjera kanë qenë për t’u harruar për kuqezinjtë e rrjetës, pasi Zvicra i fitoi ato përkatësisht 25-16 dhe 25-10, duke përmbysur shifrat dhe duke e fituar gjithë ndeshjen 3-1. Rumania kryeson renditjen me 10 pikë të grumbulluara në 4 ndeshje, e ndjekur nga Zvricra me 8 të marra në 3 ndeshje, Bosnjë-Hercegovina me 4 dhe Shqipëria me dy.

Shqipëria e mbyll pjesëmarrjen në grupin G me përballjen me Rumaninë, që do të luhet në kryeqytetin shqiptar po më 20 gusht 2022.