RTSH Sport Live

100-vjetori i Flamurtarit, ekspozitë fotografike

  • 23/03/2023
  • |
  • Sporte të tjera
100-vjetori i Flamurtarit, ekspozitë fotografike
Historia e sportit vlonjat vjen nëpërmjet 22 materialeve historike, gjithçka e hapur për katër ditë

100-vjetori i themelimit të klubit Flamurtari ka kulmuar me të tjera aktivitete, ndërsa është çelur dhe një ekspozitë fotografike, që tregon 22 disiplinat sportive të vlonjatëve. Ekspozita fotografike është çelur në hollin e teatrit “Petro Marko”, ndërsa në të kanë marrë pjesë figura të njohura të sportit vlonjat. Shefi i klubit shumësportësh Flamurtari, Klevis Kaso, tregon dhe rëndësinë e kësaj ekspozitie fotografike historike të sportit vlonjat.

Kemi hedhur themelet për të krijuar një muze të mirrëfilltë për të gjithë tifozët dhe dashamirësit e sportit. Pra për të gjithë ata që kanë qarë e qeshur vërtetë për Flamurtarin të kenë një ekspozitë që në këto 100 vite nuk ka ekzistuar", shpjegon Klevis Kaso

Për tre legjendat e futbollit vlonjat, Vasil Ruci, Sokol Kushta dhe Rrapo Taho, këto materiale fotografike janë provat e qarta të lavdisë së topkëmbës kuqezi.

"Llogjikisht është ditëlindja e klubit të futbollit. Kjo ekspozitë që shikoni është gjëja më e pakët që mund t'i bëhet ekipit të futbollit Flamurtari. Apo atyre njerëzve që lozën dhe sollën këtë emër të madh të Flamurtarit", tregon Sokol Kushta

"Unë kam qejf që ta festoj me të gjithë popullin e Vlorës. Janë pjesëmarrës, janë adrenalina jonë, janë njerëzit që në të gjitha rastet kur kemi luajtur sport na kanë dhënë kurajë. Na kanë dhënë përkrahje dhe e kam mesazhin më shumë për ta. Ata duhet ta festojnë më shumë nga ne. Ne i kemi marrë emocionet tona", jep mesazhin e tij, Vasil Ruci

"Nuk jemi në një situatë të këndëshme dhe të mirë, sepse Flamurtari nuk është në atë shkallën e duhur, apo nivelin e pritshëm. Flas për futbollin dhe uroj që të vijë sa më shpejt në Superligë", nënvizon Rrapo Taho.  

Ekspozita fotografike e Flamurtarit do të qëndrojë e hapur deri të dielën kur dhe përfundojën festimet për 100-vjetorin e klubit vlonjat.