100-vjetori i themelimit të Flamurtarit ka sjellë në parketin e Pallatit të Sportit emrat më të mirë të basketbollit të meshkujve dhe të femrave, të cilët kanë bërë histori në sportin vlonjat. Shumë vite mbi supe, por asnjëherë nuk e kanë zbehur pasionin dhe dashurinë për të luajtur basketboll. Në një ndeshje më shumë se sa miqësore të gjithë kanë përjetuar emocione të forta, të cilat i kanë shprehur dhe për mikrofonin e Radio Televizionit Shqiptar.
"I kërkoj të gjithë brezit të ri që të vazhdojnë këtë nisëm se nuk dalin bosh", thotë Mentor Kapaj
"Kënaqësi që jam këtu sepse mes të gjithë këtyre lojtarëve dhe ju që e ndiqni sportin nga pas ndihem me të vërtetë mirë", tregon Edmond Luzi.
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i pranishëm në Pallatin e Sportit ka theksuar rëndësinë e aktiviteteve në 100-vjetorin e themelimit të Flamurtarit, teksa ka kërkuar një prani më të madhe të qytetarëve.
"Unë do të doja shumë që ajo do të doja të inkuadroja në kamera është kjo logo fantastike për 100 vjetorin e klubit shumësportësh Flamurtari. Filluam sot aktivitetin e parë të radhës, ndërsa ishin pikërisht veteranët e basketbollit, të cilët u mblodhën bashkë dhe na dhuruan të gjithëve emocione", nënvizon kryebashkiaku Leli.
Aktivitetet do të vijojnë dhe në ditët në vazhdim. Një gjë të tillë e bën të ditur dhe shefi i klubit shumësportësh Flamurtari, Klevis Kaso.
"Ishte një ngjarje emocionuese duke parë në parket yjet e basketbollit e kjo që nga ata të viteve 60, 70 dhe 80 dhe deri në brezin e fundit. E duke parë dhe Viktor Papavangjelin në fushë dhe shumë e shumë të tjerë ndihesh me të vërtetë krenar. E ky është vetëm fillimi", shpjegon Klevis Kaso.
Dhe për 100-vjetorin e Flamurtarit, që në fakt e ka më 23 mars, aktivitetet sportive dhe kulturore do të vazhdojnë gjatë gjithë javës.