AF Elbasani ka arritur një fitore në ekstrem në javën e dytë të Kategorisë së Parë duke mposhtur Vorën me rezultatin 3-2. Një sfidë që i dhuroi të gjitha, tri penallti, dy kartona të kuq dhe pesë gola, por në fund ishte skuadra elbasanase që festoi. Të dyja skuadrat e mbyllën sfidën me nga 10 lojtarë. Rami(Elbasani) dhe Xhemalaj(Vora) u ndëshkuan me karton të kuq.
Vora kaloi e para në avantazh pas tetë minutash lojë me anë të Qardakut, por pas gjysmë ore lojë u vendos barazpesha me një penallti, me portierin Ruçi protagonist në të mirë dhe në të keq, fillimisht e ndali topin, por më pas e dërgoi çuditërisht në rrjetë duke shkaktuar autogol. Në fund të pjesës së parë Elbasani kaloi në avantazh me anë të Lleshit, 2-1.
Me fillimin e pjesës së dytë Vora arriti të gjejë golin e barazimit me anë të një penalltie të ekzekutuar nga Qardaku. Atëherë kur mendohej se gjithçka do të mbyllej në barazim 0-0, u akordua një tjetër penallti, këtë herë për Elbasanin, me kapitenin Karakaçi që u tregua i saktë duke firmosur fitoren 3-2 në minutën e 9-të të shtesës. Me këtë fitore, AF Elbasani ngjitet në kuotën e 4 pikëve duke u pozicionuar në vendin e tretë. Vora mbetet në kuotën e 3 pikëve në vendin e pestë.