Ishte një ditë feste dhe ashtu rezultoi. Në Elbasan ekipi i qytetit, i krijuar vetëm dy vite më parë, Akademia e Futbollit Elbasani u kurorëzua kampion i Kategorisë së Dytë për Grupin B. Përballjen e fundit, ekipi verdheblu e zhvilloi ndaj Tepelenës duke i dhënë tifozëve edhe kremtimin sa më komod pas arritjes së objektivit, atë të fitores me shifrat 6-0. Drejtuesit e klubit vendosën që hyrja në stadium të ishte falas për të gjithë tifozët. Një kontrast i madh shihej në shkallët e stadiumit, tifo-grupi Tigrat ndezën sektorin e tyre me mjete piroteknike, ndërsa një tifoz i thjesht u kënaq duke shijuar nëj birrë të ftohtë, pa harruar edhe familjarë që me fëmijët e tyre e bënë ambjentin edhe më të ngrohtë. (Specialen e plotë mbi Af Elbasanin dhe ambicjeve të rikthyera të klubit mund ta ndiqni në përfundim të edicionit të lajmeve.) Pas fitores dhe arritjes së objektivit, për televizionin shqiptar kanë ardhur prenoncimet e para. Gledian Llatja, presidenti i klubit AF Elbasani dhe njëkohësisht Kryetar i Bashkisë Elbasan ka treguar punën e bërë gjatë këtyre viteve. “Në fillim shumë skeptikë nuk e përkrahën sipërmarrjen tonë, por sot gjërat kanë ndryshuar pasi i gjithë qyteti mbështet AF Elbasanin”, tha Gledian Llatja për mikrofonin e RTSH Sport.
Nëse dikur KF Elbasani ishte një krenari për tifozët, ajo skuadër nuk ekziston më për shkak të problemeve financiare. Të gjendur në udhëkryq, pa një skuadër apo identitetit, tifozët dhe populli elbasanas mbështeti këtë vendimarje të vështirë që mori Bashkia për të krijuar skuadrën e re dhe siç shihet frytet e punës kanë ardhur.
“Qytetarët e Elbasanit kanë qenë krahu ynë i djathtë në këtë nismë dhe për këtë motiv i shikoni dhe ju sot kaq të shumtë në numër në stadium. Ne i kemi dëgjuar dhe u kemi kërkuar ndihmë për ç’do nismë të ndërmarrë”, vazhdoi kryetari i Bashkisë Elbasan.
Kategoria Superiore është tashmë një objetkiv i arritshëm. Një skuadër e organizuar në mënyrën më të mirë, ku eksperienca dhe energjia ndërthuren si duhet, dhe ajo që është më e rëndësishmja, financat nuk mungojnë.
Puna e mirë e bërë nga kryetari i Bashkisë, nuk do të ishte pa ndihmën e dy njerëzëve të tij si administratori Mareglen Çoku dhe drejtori sportiv Elton Guranjaku. Të dy kanë bashkëpunuar në të gjitha castet, për të bërë një klub model dhe me baza të shëndosha, pa harruar edhe merkaton, duke afruar lojtarë të origjininës nga ato që e ndjejnë fanellën si Orgest Gava-n, Renato Hyshmerin etj.
“Kemi krijuar diçka mjaft të bukur. Kemi ndërtuar një ekip të shëndoshë me ekipe zinxhirë funksionalë. Vitin tjetër në Kategorinë Parë duam që të bëjmë atë që bëmë sivjet në Kategorinë e Dytë”, tha Mareglen Çoku, administrator i AF Elbasanit.
“Kuptohet se Kategoria e Parë do të kërkojë tjetër impenjim pasi për të vazhduar rrugën drejt Superiores do të na duhet mjaft punë. Duam që të përfaqësohemi denjësisht dhe mendoj se e ardhmja do të jetë positive”, theksoi Elton Guranjaku, Drejtori Sporti i AF Elbasanit.
Erjol Merxha u zgjodh si trajner i AF Elbasanit në muajin prill duke vazhduar punën e lënë përgjys nga trajneri Gentian Stojku. Merxha për RTSH tregon se e priste një arritje të tillë.
“Që në fillim të aventurës tonë ishim të bindur se do të kurorëzoheshim pasi kishim ekipin më të mirë”, pohoi Erjol Merxha.
Është e lehtë të zgjedhësh tani Akademinë e Futbollit Elbasani, sepse emri që ka klubit të imponohet, në kushtet kur gjithcka shkon siç duhet, duke filluar nga komoditeti i stërvitjes, mënyra e punës, funksionimi si një klub i vërtetë, ndjesi që kishin filluar ta humbnin në Elbasan.