“Tifozët e Lazios nuk janë të mirëpritur në Amsterdam”. Me këtë mesazh të lëshuar nga shefi i policisë, kryeprokurori dhe kryebashkiaku i kryeqytetit holandez, tifozëve të bardhekaltërve u ndalohet udhëtimi për ndeshjen kundër Ajax-it në Ligën e Evropës të planifikuar për në 12 dhjetor.
"Tifozët e Lazios nuk janë të mirëpritur në Amsterdam. Rreziku i shpërthimeve kriminale është shumë i lartë. Disa tifozë të Lazios janë të njohur për simbolizmin fashist dhe prishjen e rendit publik”.
“Shembujt janë përshëndetja hitleriane dhe abuzimi me imazhin e Ana Frankut. Vitet e fundit, në lidhje me ndeshjet jashtë fushe në Holandë dhe vende të tjera evropiane, tifozët e Lazios janë bërë protagonistë të përplasjeve me armë luftarake apo fishekzjarre”.
Pikërisht në qytetin holandez, mes datave 7 dhe 8 nëntor, ka pasur disa incidente në ndeshjen mes Ajax-it dhe Maccabi Tel Aviv dhe aq më tepër që nga ai moment prioritet për autoritetet e qytetit është ruajtja e rendit publik.