RTSH Sport Live

Atletika, tre kandidatë për një vit president

  • 18/05/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Atletika, tre kandidatë për një vit president
Ferdinand Cani, Artan Shytaj dhe Taulant Stërmasi në kërkim të “karriges” së Gjergji Rulit

Federata Shqiptare e Atletikës do t’i nënshtrohet procesit zgjedhor për president, gjë e cila do të kryhet të premten në ora 10:00 në ambientet e kompleksit olimpik. Tre janë kandidaturat e propozuara nga klubet, respektivisht Ferdinand Cani, i cili është në rolin e zëvendëspresidentit, Artan Shytaj dhe Taulant Stërmasi. Bëhet fjalë vetëm për një vit mandat, sepse më 2024-ën, në përfundim të ciklit olimpik, të gjitha Federatat do t’i nënshtrohen procesit të rregullt zgjedhor.

E gjithë kjo situatë është krijuar pas çështjes së manipulimit së rezultatit të Izmir Smajlajt në garën e 8 majit 2021, që ishte 8.16 metra. Njësia e Integritetit të Atletikës e shpalli të pafajshëm Smajlajn, kurse Gjergji Ruli, i cili ishte në rolin e presidentit të Federatës Shqiptare të Atletikës, si dhe të trajnerit të Smajlajt, është pezulluar deri më 8 dhjetor 2026. Kurse sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Atletikës, Nikolin Dionisi, deri më 5 prill 2028.

Kështu Federata Shqiptare e Atletikës do të mund të ketë një president të ri, i cili më pas më 2024-ën do të rikandidoj për një mandat më të plotë.