RTSH Sport Live

Balaj gol, Shqipëria barazon me Arabinë Saudite

  • 26/10/2022
  • |
  • Kombëtarja
Balaj gol, Shqipëria barazon me Arabinë Saudite
Është mbyllur në barazim 1-1 sfida e luajtur në “Al Nahyan Stadium” të Abu Dabit

Është mbyllur në barazim 1-1 miqësorja e luajtur në “Al Nahyan Stadium” të Abu Dabit mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite. Vendasit kaluan të parët në avantazh me anë të Saleh Alshehri me penallti në fundin e pjesës së parë, ndërsa kuqezinjtë arritën të barazojnë në fillimin e pjesës së dytë me Bekim Balajn.

Pjesa e parë nisi e barabartë në lojë, por me kuqezinjtë që arritën të krijojnë më shumë mundësi shënimi. Fillimisht ishte Bitri që tentoi me kokë në minutën e 9-të në ekzekutimin e një goditje këndi, por që nuk arriti të gjejë kuadratin. Por mundësia më e mirë do të mbërrijë në minutën e 39-të, me Xhixhën që bën gjithçka mirë, madje duke kaluar dhe portierin e skuadrës kundërshtare, por gabon me portën e boshatisur.

Përfaqësuesja e Arabisë në të vetmin moment të rrezikshëm arrin të gjejë rrugën e rrjetës. Është pikërisht minuta e 42-të, moment në të cilin vendasit kanë arritur të shënojnë nga pika e bardhë e penalltisë me anë të Saleh Alshehri. Gjyqtari i sfidës ka dalluar një prekje të topit me dorë nga ana e Bitrit dhe ka treguar pikën e bardhë, Saleh Alshehri ka firmosur për 1-0, që është dhe rezultati i pjesës së parë.

Fillimi i pjesës së dytë ka sjellë shumë ndryshime për kuqezinjtë: janë larguar: Hadroi, Mala Muçolli, Cikalleshi, Xhixha dhe Marku. Në vend të tyre: Balaj, Roshi, Rrapaj, Mitaj, Kallaku dhe Skuka.

I menjëhershëm reagimi kuqezi, një kombinim Rrapaj-Roshi-Balaj ka sjellë dhe golin e barazimit, me sulmuesin shkodran që ka arritur të finalizojë në minutën e 47-të, 1-1.

Në minutën e 58-të Shqipëria kishte një mundësi me Xhuliano Skukën, që pësoi një ndërhyrje të parregullt në zonë, por gjyqtari ishte i mendimit se nuk kishte penallti. Minutat në vazhdim nuk kanë sjellë ndryshim të rezultatit, gjithçka është mbyllur në barazim 1-1.

Arabi Saudite – Shqipëri              1-1

Shënues: Saleh Khalid Alshehri 42’ (11-m) / Balaj 47’

Arabia Saudite: Hatan Sultan Bahbri, Ali Hadi Albulayhi, Ali Sadiq Alhassan, Abdulelah Ali Alamri, Saud Abdullah Abdulhamid, Riyadh Mohammed Sharahili, Mohammed Faraj Alyami, Haitham Mohammed Asiri, Saleh Khalid Alshehri, Abdulelah Saad Almalki. Trajner: Herve Renard

Shqipëria: Elhan Kastrati (Gentian Selmani 45’), Erdenis Gurishta, Eneo Bitri (Stivian Janku 61’), Rudolf Turkaj (Esin Hakaj 61’), Albion Marku (Odise Roshi 45’), Esat Mala (Arinaldo Rrapaj 45’), Ardit Deliu (Ardit Toli 61’), Arbnor Muçolli (Sherif Kallaku 45’), Andi Hadroj (Mario Mitaj 45’), Sokol Cikalleshi (Bekim Balaj 45’, Lorenco Vila 78’), Redon Xhixha (Xhuliano Skuka 45’). Trajner: Edoardo Reja