RTSH Sport Live

Ballkani i Dajës “merr arratinë”

  • 02/11/2023
  • |
  • Kosova
Ballkani i Dajës “merr arratinë”
Mposht rivalen direkte, Dritën, dhe shkëputet + 9 pikë në krye të Superligës së Kosovës

Superliga e Kosovës ka luajtur të mërkurën dhe të enjten ndeshjet e javës së saj të 12-të dhe Ballkani ka mposhtur ndjekësen më të afërt, Dritën dhe ka nisur të marrë arratinë në krye të renditjes së Superligës së Kosovës në Futboll. Skuadra nga Suhareka, e drejtuar nga trajneri nga Tirana, Ilir Daja, ka korrur një fitore minimale, por mjaft të vyer ndaj Dritës, duke u shkaktuar gjilanasve humbjen e parë në kampionat. Në një përballje të luftuar, të luajtur të mërkurën, gjithçka do të vendoset në minutën e 36-të, kur qendërmbrojtësi Lumbardh Dellova realizoi një gol të bukur nga një largësi prej 30 metrash.

Pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të vendasve 1-0, ndërsa Ualid Hamidi realizoi në minutën e fundit edhe një gol tjetër për Ballkanin, por që u anulua për pozicion jashtëloje. Po të mërkurën u luajtën edhe dy ndeshje të tjera në Superligën e Kosovës, aty ku Gjilani mposhti Feronikelin në shifrat 2-0. Ndërsa Malisheva i ka shkaktuar trajnerit të ri, Emauel Egbo, humbjen e parë në krye të stolit të Prishtinës, teksa vendasve u ka mjaftuar goli i Mustafës me penallti në minutën e 85-të. Të enjten janë luajtur edhe ndeshjet e fundit të javës së 12-të të Superligën e Kosovës, që janë mbyllur të dyja në barazim.

Liria dhe Dukagjini kanë shënuar nga dy gola e kanë ndarë nga një pikë në ndeshjen midis tyre, të luajtur në stadiumin “Përparim Thaqi”. Në takimin tjetër, edhe Llapi dhe Fushë-Kosova ndanë nga një pikë, me rezultatin përfundimtar që ishte 1-1. Ballkani e thellon kështu në 7 pikë largësinë ndaj Dritës në renditje, ku kryeson Superligën me 29 pikë, ndërsa gjilanasit mbetën në vendin e dytë me 22 pikë. Llapi mban vendin e 3-të me 21 pikë, ndërsa të tjerat mbeten shumë prapa.