RTSH Sport Live

Ballkani, vetëm një pikë në Kazakistan

  • 09/11/2023
  • |
  • Kosova
Ballkani, vetëm një pikë në Kazakistan
Mbizotëron në lojë dhe raste, por ndalet pa gola përballë Astanës vendase

Ballkani ka të mbizotëruar të enjten ndaj Astanës, por nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë në Kazakistan, në takimin e vlefshëm për grupin C të Ligës së Konferencës. Në duelin e zhvilluar në stadiumin “Astana Arena”, skuadra e Ballkanit ka sulmuar vazhdimisht dhe ka kërkuar golin, por ishte e pafat. Që prej fillimit të ndeshjes, kampionia e Kosovës tregoi se drejt Kazakistanit nuk kishte udhëtuar për t’u mbrojtur dhe rrezikoi e para në minutën e katërt, kur Nazmi Gripshi gjuajti mbi portë. Edhe pas rastit të Gripshit, që ishte më i miri në pjesën e parë, Ballkani ka provuar sërish ta zhbllokojë rezultatin dhe, në minutën e 32-të, Almir Kryeziu pati një rast të volitshëm, por u ndal nga portieri vendas.

 Astana provoi kryesisht nëpërmjet kundërsulmeve, por pa rezultat. Ballkani ishte edhe më kërkues edhe në pjesën e dytë, sidomos në minutat e fundit të takimit kur shpërdoroi tri raste të arta. Fillimisht, në minutën e 73-të, Gripshi goditi nga një largësi prej më shumë se 20 metrash, por topi përfundoi jashtë, pranë shtyllës pingule, ndërsa i njëjti futbollist pati rast tjetër në minutën e 82-të, pas një kundërsulmi të shpejtë, por portieri vendas i mohoi golin.

Pak minuta më vonë, edhe Arbër Potoku u mundua të përfitoi nga rrëmuja brenda zonës së Astanas, por gjuajti dobët dhe topi përfundoi në duart e portierit. Me këtë barazim, Ballkani mbetet ende në lojë për të kaluar grupin, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u zhvilluar deri në fund të kësaj faze, teksa ka 4 pikë në po aq ndeshje, po aq sa ka edhe Astana. Ndeshjen e radhës, Ballkani e luan më 30 nëntor, kur Viktorian e Plzenjit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.