Flamurtari në basketboll për femra, jo vetëm që është hakmarrë për atë humbje të finales së Kupës së Shqipërisë, por e ka mundur Partizanin në finale e parë për titull kampion me 33 pikë diferencë. Ndeshja, e cila është luajtur në Pallatin e Sportit “Flamurtari” të Vlorës ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
Me përjashtim të minutave të para, që të besuarat e Ledina Koçit kanë bërë rezistencë, e gjithë pjesa tjetër ka qenë e dominuar nga vlonjatet, të cilat në gjirin e tyre kanë dhe basketbolliste të huaja. 22-18 perioda e parë për Flamurtarin. 19-14 e dyta dhe në pushim 41-27 për vajzat e Erion Hoxhës.
Ajo që i vë “vulën” suksesit të vlonjateve është perioda e tretë. 30-10 për to dhe në total 71-37. Madje ka momente që Flamurtari është shkëputur deri në 40 pikë diferencë. Minutat e fundit janë për vajzat e reja të të dy skuadrave. 15-16 perioda e katërt për Partizanin dhe në përfundim 86-53 për vlonjatet.
Ndeshja e dytë do të luhet të premten në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” duke nisur nga ora 19:00 dhe do të vijë drejtpërsëdrejti në RTSH Sport, sikurse të shtunën finalja e parë e djemve për titull kampion, Goga Basket – Teuta.