RTSH Sport Live

Basketboll Femra/Flamurtari, kampion i padiskutueshëm

  • 08/06/2021
  • |
  • Basketboll
Basketboll Femra/Flamurtari, kampion i padiskutueshëm
Vlonjatet mundën Partizanin në finalen e tretë dhe mbyllën gjithçka në 3-0

Flamurtari është për të 23-herë kampion i Shqipërisë në basketboll për femra. Një kupë edhe ish-trajnerin legjendar të koshit vlonjat, Viron Toska, i ndarë nga jeta rreth gjashtë muaj më parë për shkak të Covid-19. E një dedikimi nga vajzat e Flamurtarit për të, por dhe nga Federata Shqiptare e Basketbollit, që përpara zhvillimit të finales së tretë me Partizanin, e cila ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, ka dhënë një mirënjohje për Viron Toskën, të cilën e kanë marrë familjarët e tij.

Në përgjithësi një ndeshje emocionuese, ndërsa Partizani është përpjekur që të bëjë rezistencë, pse jo ta shtynte festën e titullit kampion për Flamurtarin. 21-23 perioda e parë për Partizanin. Ajo që ka bërë diferencën është perioda e dytë, që vlonjatet e kanë fituar 29-17 dhe Flamurtari ka kryesuar në pushimin e lojës, 48-40.

Ka një ulje të ritmit, por dhe të pikëve të shënuara në vazhdim. 9-11 perioda e tretë për Partizanin, kurse Flamurtari kryeson 57-51. 11-9 e fundit dhe në përfundim 68-60 dhe festa është e gjitha e vlonjateve. Kupën kapitenes së Flamurtarit, Aida Myrto, ia ka dorëzuar presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, së bashku me anëtarin e kryesisë Ilir Taflaj dhe sekretarin e përgjithshëm Korab Llazani.

Kështu basketbolli i femrave ka ulur siparin për të vijuar tanimë me basketbollin e meshkujve, atje ku Teuta – Goga Basket do të luajnë të mërkurën finalen e dytë për titull kampion, që do të vijë drejtpërsëdrejti në RTSH Sport duke nisur në ora 19:00.