RTSH Sport Live

Basketboll Meshkuj/Teuta, gati për titullin kampion

  • 04/06/2021
  • |
  • Basketboll
Basketboll Meshkuj/Teuta, gati për titullin kampion
Kapiteni i durrsakëve, Kristi Gorea, rrëfen atmosferën pozitive të durrsakëve para finaleve

Goga Basket – Teuta, finalja e parë për titull kampion në basketboll për meshkuj, të shtunën në ora 19:00 do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Kamera e RTSH Sport ka qenë në një nga seancat përgatitore të durrsakëve, ndërsa kapiten i Teutës, Kristi Gorea, ka treguar situatën e grupit, sidomos pas dy fitoreve në gjysmëfinale me Vllazninë.

“Atmosfera në skuadër është shumë e mirë, sepse vijmë nga 13 fitore radhazi. Sigurisht që fitoret krijojnë një atmosferë të bukur, aq më tepër që në gjysmëfinale ke një kundërshtar të fortë siç është Vllaznia, të jep një shtysë më shumë. Të fitosh me një kundërshtar të fortë, të jep mundësinë të njohësh fuqitë e vërteta të ekipit, kështu që shkojmë në finale me një moral të lartë”.

Tanimë është një “deja vu” për finalet për titull kampion, sepse edhe përpara dy vitesh i njëjti çift ka qenë përballë njëri-tjetrit për trofeun më të rëndësishëm të koshit të djemve. Por nisur dhe nga situata e pandemisë Covid-19, ndërsa do të vijohet të luhet pa tifozë, si mund të jenë këto finale të sivjetme?

“Normalisht ndeshjet derbi dhe të gjitha finalet do të jenë shumë emocionuese dhe të forta, besoj se do të luhet deri në minutën e fundit”

Prej disa vitesh, Teuta ka qenë pretendente për titull kampion. Madje sivjet ishte dhe fituese e Kupës së Shqipërisë, ndërsa në finale mundi Goga Basket. A është koha tanimë që durrsakët të jenë kampion?

“Teuta ka qënë pretendente gjithë këto vitet e fundit. Në rrethana të ndryshme, Brenda dhe jashtë fushës, nuk ia kemi arritur qëllimit përfundimtarë, por besoj se pas fitores së Kupës ndaj Gogës, kemi fituar një vetbesim të madh”.

Endrit Hysenagolli një kundërshtar, ndërsa për një kohë të gjatë ka qenë lojtar i Teutës. Ja dhe vlerësimi i Goreas për Hysenagollin, brenda dhe jashtë fushës...”Normalisht Brenda fushe, gjithmonë ka rivalitet dhe e shikojmë si kundërshtar, nuk e shikojmë si mik. Jashtë fushe kemi marëdhënie të mira, sepse normalisht jemi dy lojtarë vendas, do takohemi dhe pas shumë vitesh, edhe emocionet e eksperienca që kemi kaluar bashkë në të njëjtin ekip na e mbajnë miqësinë prej kohësh”, ka përfunduar Kristi Gorea.