RTSH Sport Live

Besëlidhja… sa pranë, sa larg…!

  • 28/03/2024
  • |
  • Basketboll
Besëlidhja… sa pranë, sa larg…!
Kryeson gjithë takimin ndaj Prishtinës, por mundet në fund 79-80

Takimi i 4-t dhe i fundit i veprimtarisë së përbashkët e basketbollit midis Shqipërisë dhe Kosovës, Liga Unike, që po zhvillohet në trajtën e një "8-she finale", ka qenë ai midis Besëlidhjes dhe SIGAL Prishtinës.  Kjo veprimtari po e zhvillon fazën finale në Pallatin e Sportit “Flamurtari” të Vlorës dhe po vjen për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, teksa ndeshjet e së enjtes erdhën në kanalin RTSH 3. Në sfidën e dytë të enjtes, që ishte edhe e fundit e çerekfinaleve është Besëlidhja që e ka nisur bindshëm sfidën, duke e fituar thellë 10-minutëshin e parë me 19 pikë epërsi, 28-9.

Edhe pse skuadra e kryeqytetit të Kosovës kundërpërgjigjet në 10-minutëshin e dytë, duke e fituar edhe atë 22-17, është ekipi lezhjan që shkon në pushimin e madh midis dy gjysmave duke kryesuar me shifrat 45-31. Edhe pse ringjallja e skuadrës nga Prishtina vijon edhe pas daljes nga dhomat e zhveshjeve, teksa e ka fituar 10-minutëshin e 3-të, 28-17, duke kryesuar kështu pas një gjysmë ore lojë me plot 4 pikë epërsi, 62-58.

10-minutëshi i 4-t dhe i fundit është fituar nga SIGAL Prishtina, 21-17, që e fiton gjithë ndeshjen 80-79, ndonëse duhet theksuar se në 5 sekondat e fundit, Besëlidhja kishte dy mundësi, për ta barazuar, por edhe4 për ta fituar sfidën, por pa i shfrytëzuar ato. Ky rezultat nënkupton se të 4 skuadrat e Kosovës e kanë siguruar kështu vendin në gjysmëfinale të Ligës Unike në basketboll për meshkuj, ndërsa ato të Shqipërisë mbeten jashtë.