Portieri shqiptar Alen Sherri debutoi në kampionatin italian këtë fundjavë me fanellën e Kaljarit në barazimin 3-3 që sardët morën përballë Milanit. Paraqitja e 26-vjeçarit shqiptar ka qenë pozitive, madje ka futur në dilemë trajnerin Nikola, përsa i përket emrit të portierit titullar.
“Duel Sherri-Scuffet për portën”, është titulli kryesor i gazetës “L’Unione Sarda”, që thekson se pas paraqitjes së mirë të shqiptarit përballë Milanit, Scuffet nuk e ka më të sigurt vendin e titullarit te Kaljari.
Për trajnerin asnjë nga lojtarët nuk duhet të ndihet titullar dhe ai vetë është akoma në dyshim se kë do të hedhë në fushë për ndeshjen e radhës në kampionat kundër Genoas, që do të luhet pas pauzës së kombëtareve.